«Vilet e zemërimit» dhe leximet në «kohë vere»

Në një kohë kur librat na «vardisen» me të njëjtën metodë siç na «vardiset» moda dhe materialja, duket më e shëndetshme për trurin t’i kthehemi klasikëve që kanë lënë shenjë në kohë. I tillë është romani «Vilet e zemërimit» i shkrimtarit amerikan John Steinbeck.



Periudha e verës nxjerr në pah një element të përçudnuar të letërsisë dhe librit: prodhimin dhe konsumimin e tyre, më shumë se sa leximin. Shtëpi botuese botojnë «seri të librave të verës», të cilat me gjasë janë të vetmet që lexohen (lexo: konsumohen) në plazhe dhe përgjatë ditëve të verës përcëlluese. Libra me tituj pa imagjinatë, trajtime të klisheve të konsumuara gjinore dhe sociale të ambalazhuara me ngjyra të ndezura njëlloj si produktet e flokëve apo të manikyrit defilojnë nëpër librari e rrjete sociale.

Pikërisht në një periudhë të tillë kur prodhohen «libra vere» dhe libra për «gjininë femërore», duket më e shëndetshme për trurin t’u rikthehemi klasikëve, librave e romaneve që kanë lënë shenjë në kohë dhe që jodetyrimisht të «vardisen» nëpër raklama televizive e fejsbukore.

Gjeneratat e lindura para viteve ‘90 në hapësirat tona janë më të njohura me letërsinë sovjetike për shkak të sistemit në të cilin kemi jetuar. Letërsia amerikane apo letërsia perëndimore në përgjithësi përveç që është nënvlerësuar kundruall klasikëve sovjetikë, ajo as nuk është eksploruar sa duhet. I tillë është romani monumental i autorit amerikan John Steinbeck i përkthyer në shqip si «Vilet e zemërimit» (The Grapes of Wrath).

I botuar për herë të parë në vitin 1939 «Vilet e zemërimit» përshkruan historinë e një familjeje amerikane bujqish nga Oklahoma të quajtur «Joads», e cila detyrohet të emigrojë në Kaliforni – tokën e premtuar gjatë viteve të krizës ekonomike amerikane të njohur si «Depresioni i Madh». Për të arritur në Kaliforni, familja Joad merr rrugën 66 («Route 66»), por asgjë nuk shkon si duhet. Steinbeck bëhet kështu shkrimtari i parë që i referohet rrugës dykahëshe «Route 66», e cila lidh Chicagon me Los Angeles, duke i dhënë asaj kuptimin e shpresës e të shpëtimit dhe duke e kthyer përjetësisht në një simbol kulturor. Gjatë rrugës për në tokën e premtuar, familja «Joad» ngacmohet dhe keqtrajtohet. Dy gjyshërit e familjes vdesin nga ngarkesa rrugës dhe familjarët detyrohen t’i varrosin skaj rrugës.

Familja me 9 anëtarë Joad niset në drejtim të Kalifornisë për të gjetur punë dhe për t’i ikur përfundimisht thatësisë së madhe që kishte kapluar pjesën qendrore të SHBA-ve. Në paramendimin e tyre Kalifornia ishte vendi me fiq, portokaj e limonë, e me shtëpi të bardha (lexo: të lyera), ku do të mund të gjenin punë të gjithë. Gjatë rrugës së gjatë e të mundimshme ata gjenden shpesh në kufijtë e urisë dhe të mbijetesës. Këtë e vështirëson edhe më shumë fakti se bashkëudhëtarë të tyre janë edhe dy fëmijë: Ruthie dhe Winfield, si dhe vajza e madhe e tyre e cila është në pritje të një fëmije.

«Si mund ta frikësosh dikë, i cili nuk e ka urinë vetëm në barkun e tij të thatë, por edhe në barkun e pangopur të fëmijëve të tij? Atë njeri nuk mund ta frikësosh, sepse ai ka njohur një lloj frike që është më e madhe se të gjitha tjerat», shkruan autori.

Gjatë rrugës për në Kaliforni anëtarët e familjes kuptojnë shijen e hidhur të korporatave të mëdha të sapo formuara në SHBA, të cilat shfrytëzojnë punëtorët e varfër amerikanë ta ardhur nga të katër anët për të gjetur punë në Kaliforni. Ndonëse i shkruar pothuajse njëqind vjet më parë, në roman çështja e «të huajve» paraqitet me të njëjtat frikëra dhe me të njëjtat probleme siç vjen tash e pesë vjet për refugjatët sirianë në vendet e Europës Perëndimore.

«Emigrantët ishin të uritur dhe të patrembur. Ata kishin shpresuar të gjejnë një shtëpi të dytë ndërkaq gjetën vetëm urrejtje. Vendasit i urrenin emigrantët. Dyqanxhinjtë i urrenin ata po njësoj, sepse emigrantët nuk kishin fuqi blerëse. Bankierët i urrenin ata po njëlloj, sepse nuk mund të fitonin asgjë nga emigrantët: ata nuk kishin asgjë. Edhe punëtorët e thjeshtë i urrenin emigrantët. I urituri do punë. Ai punon për pak para dhe kështu punëdhënësi do t’i punësojë ata për shumë më pak para se vendasit. Dhe derisa Kalifornia kërkonte shumë gjëra si për shembull pasurim, sukses, gëzim dhe një sistem të mirë bankar, <barbarët e rinj> donin thjeshtë vetëm dy gjëra: tokën për të punuar dhe bukë! Për ta toka dhe buka ishin një!»

Në një përshkrim voluminoz, Steinbeck ilustron ballafaqimin e familjes amerikane me realitetin në ndryshim e sipër ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Drama e familjes sa e pabesueshme dhe në kufi të mbijetesës është e mbushur me mesazhe të mëdha të dinjitetit njerëzor e moral.

«Emigrantët, duke zhbiruar për vende pune, duke kërkuar me ngulm një mundësi për të jetuar ishin gjithmonë në kërkim të kënaqësisë, e krijonin atë. Ata ishin të uritur për një grimë kënaqësi».

Në qendër të romanit është – në njërën anë – karakteri qëndrestar i nënës së Tomit, e cila personifikon mbijetesën, dëshirën për jetë dhe dashurinë prej njeriu të fortë në kohë të mbijetesës, dhe – në anën tjetër – ai i Tomit, i cili përkundër pafuqisë ndaj varfërisë, rebelohet ndaj padrejtësisë që i bëhet të varfërve, të pambrojturve në kohë krize. Ndonëse në dukje të parë një rrëfim tërësisht i zakonshëm, romani është pafund politik në qendër të së cilit ka korporatizimin e SHBA-ve pas krizës ekonomike, figurën dhe imazhin e «të huajve» dhe rolin që krizat e mëdha si ajo e viteve ‘30 kanë në fuqizimin dhe emancipimin e gruas. Duke qenë se familja fillon të dobësohet gjatë rrugës, janë gratë e shtëpisë ato që qëndrojnë më të forta.

«Gratë mund të bëjnë ndryshime më të mëdha se sa burrat», thotë e ëma e Tomit, personazhit kryesor të romanit. Në fund të romanit, familja Joad nuk arrin në cakun e pritur e as nuk e prekë për së afërmi qetësinë e ëndërruar. Kjo edhe për të na treguar se ashtu si vetë jeta, kërkesa jonë për të arritur lumturinë apo qetësinë nuk përfundon kurrë, është vetëm një rrugëtim. Fundi i romanit është ndoshta leximi më i fuqishëm që do të hasni për një kohë të gjatë. Pas një rruge të gjatë nëpër shi dhe baltë, familja e sjell vajzën shtatzënë Rosasharn në një stallë kuajsh të braktisur për t’u mbrojtur prej shiut dhe për të sjellë në jetë fëmijën e saj. Aty gjejnë edhe një burrë që po vdiste nga uria, ngaqë nuk kishte futur gjë në gojë për gjashtë ditë. Pa shumë komunikim, Rosasharn i thotë të ëmës së saj «Po!» E gjithë familja dalin jashtë stallës dhe Rosasharn i afrohet njeriut që po luftonte me vdekjen për t’i dhënë gji dhe për t’i shpëtuar jetën. Është i vetmi ushqim që ajo dhe familja e saj kanë në dispozicion.

Romani «Vilet e zemërimit» ka fituar çmimin prestigjioz për letërsi Pulitzer dhe njihet si një klasik i vërtetë amerikan. Në të Steinbeck do të përshkruante zemërimin e tij të thellë me korporatizimin e SHBA-ve, urtësinë e njerëzve të thjeshtë dhe dëshirën për barazi shoqërore. I lindur vetë në një fermë bujqish, jeta e Steinbeckut mësohet të ketë pasur një rrugëtim aspak të lehtë për mbijetesë. Që nga botimi i romanit ne prill të vitit 1939 «Vilet e zemërimit» u bë përnjëherë një sensacion kombëtar, romani më i diskutuar dhe më kontrovers i shekullit të ‘20. Ai u kritikua ashpër nga kundërshtarë të tij dhe madje edhe u ndalua në disa librari nëpër SHBA. Qarqet djathtiste amerikane e denoncuan herë si manifest komunist, herë si propagandë hebraike, ndonëse Steinbeck vetë nuk ishte hebre.