Viktima të verbërisë vetjake

Çdo vit kosovarët ia dhurojnë Serbisë rreth 500 milionë euro. Duan kosovarët të jenë të pavarur, por përherë të varur nga prodhimet e firmave serbe. Edhe me këto para Vuçiqi, Bërnabiqi dhe Daçiqi lobojnë kundër Kosovës. Si sot në Dubai. Në anën tjetër ka hebrenj që as sot nuk blejnë prodhime gjermane. Por, ata janë hebrenj. Nëse edhe sot ecni rrugëve të lagjes Wiedikon të Zürichut, aty ku jetojnë shumica e hebrenjve të metropolit zviceran, do të vëreni dukshëm më shumë vetura japoneze, madje në disa rrugë s’shihni asnjë veturë gjermane. Dhe kjo 73 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Foto: Shutterstock



Për të parë se deri ku ka arritur politika e nënshtrimit ndaj Serbisë, politika që opinionit i shitet si gjoja proeuropiane, politika që vrapon pas flluskave të sapunit që i lëshojnë nga Brukseli politikanët proserbë si Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, duhet të kthehemi te një ditë prilli e këtij viti. Atë ditë, më 18 prill, në Prishtinë ishte hapur i ashtuquajturi panairi «Prishtina 2018». Prej 174 firmave që prezantonin prodhimet e tyre 70 ishin nga Serbia, pra mbi një e treta. Nga Shqipëria ishte vetëm një! Ambasadori i Tiranës në Prishtinë u bë sikur ishte i hidhëruar, akuzoi Odën Ekonomike të Kosovës për organizim joadekuat, duke shtuar se nuk ishin njoftuar bizneset shqiptare për të marrë pjesë në panairin e Prishtinë. Kjo mund të jetë, në rastin më të mirë, gjysma e së vërtetës, sepse po të kishin firmat e Shqipërisë vërtet interes të madh për tregun e Kosovës do të kundërpërgjigjeshin me një panair tjetër, do të bënin pak zhurmë në opinion. Por, e vërteta është se edhe vetë Shqipëria shumë artikuj ushqimorë i importon nga Italia dhe Greqia. Është një dyqan në plazhin e Durrësit që ka mall të mirë, sepse «krejt prodhimet i ka italiane». Dhe me siguri ky nuk është i vetmi.

Kur u hap panairi, nëpër të bënë paradë edhe politikanë të Kosovës, të prirë nga shefi i Odës Ekonomike të Serbisë. Sigurisht, ai nuk mund të akuzohet, biznesmeni serb dëshiron të shesë prodhimet e vendit të tij. Por, si është e mundur që politikanët e Kosovës në këtë panair edhe të ngrenë dolli për miqësinë e përhershme kosovaro-serbe bazuar në ëmbëlsinë e biskotave? Sepse kosovarët, jo vetëm politikanët e tyre, janë viktima të verbërisë së tyre. Mendojnë se shtëpitë që ua ka hedhur në ajër Serbia gjatë luftës duhet t’i ndërtojnë me materiale ndërtimore serbe, mendojnë se fëmijët duhet t’i rrisin me qumësht e biskota të Serbisë, mendojnë se çdo gjellë nuk zihet pa vaj nga fabrikat serbe. Ka madje politikanë të Prishtinës që ëndërrojnë për zona të përbashkëta ekonomike serbo-kosovare.

Çdo vit kosovarët ia dhurojnë Serbisë rreth 500 milionë euro. Duan kosovarët të jenë të pavarur, por përherë të varur nga prodhimet e firmave serbe. Edhe me këto para Vuçiqi, Bërnabiqi dhe Daçiqi lobojnë kundër Kosovës. Si sot në Dubai. Dhe duhet t’i dëgjojmë pastaj diplomatët perëndimorë që thonë: taksa shtesë për prodhimet serbe është kundër frymës së bashkëpunimit, kundër rregullave të CEFTA-s, blla, blla, blla. Serbia mund të bëjë fushatë në mbarë botën kundër Kosovës, ajo mund të pengojë kudo Kosovën, mund të sabotojë Kosovën brenda dhe jashtë vendit, mund të lobojë me sukses kundër anëtarësimit në UNESCO e Interpol, mund të ndalojë ndeshje të ekipeve sportive të Kosovës në Serbi. Dhe mund të vazhdojë të negociojë për anëtarësim në Bashkimin Europian – thua se nuk ka ndodhur asgjë.

Kosovarët, sipas këtyre diplomatëve, duhet të blejnë edhe më tutje prodhime serbe, sepse kështu përmirësohet klima e pajtimit, kështu pasurohen edhe oligarkët e Kosovës, të cilët një pjesë të madhe të fitimit ia japin pushtetarëve. Dhe krejt këtë e përkrahë edhe kryeministri i Shqipërisë, i cili para disa vitesh shkoi në Nish në një forum biznesi serbo-shqiptar, ku citoi Ivo Andriqin, i cili paskësh thënë se mes frikës e shpresës gjithmonë gjendet një hapësirë dhe shumëkush jetën e kalon në atë hapësirë të errët duke pritur atje ku asgjë nuk ndodhë. «Besoj», tha kryeministri shqiptar i entuziazmuar me Andriqin, «se ndërmarrësit ndërmjet frikës e shpresës gjithmonë zgjedhin shpresën, sepse në të kundërtën do të bankrotonin, ndërsa politikanët zgjedhin frikën, sepse nuk janë në rrezik që të bankrotojnë». Ka thënë edhe diçka tjetër Andriqi, më 1939: «Serbia duhet që bashkë me Italinë ta ndajë Shqipërinë dhe kështu të eliminojë qendrën tërheqëse për minoritetin arbanas (shqiptar) që ka një pretendim për Kosovën». Kur lexojmë atë që tha kryeministri i Tiranës në Nish, zemërimi i ambasadorit shqiptar në Prishtinë se nuk qenkan ftuar firmat shqiptare për të marrë pjesë në panair, tingëllon vetëm si hipokrizi.

Shqiptarët e Kosovës duhet të mësojnë pak nga hebrenjtë. Kur në fund të viteve ’90 Daimler-Benzi, firma gjermane që prodhon Mercedesin, njoftoi se do të bashkohet me Chrysler Corp. nga Amerika, në komunitetin hebraik në SHBA menjëherë u ngjall një debat se përse hebrenjtë nuk duhet të blejnë tash as vetura amerikane të Chryslerit për shkak se pjesë e Chryslerit tani ishte edhe Mercedesi gjerman, i njohur edhe si prodhues i zellshëm për industrinë vrastare të Andolf Hitlerit. Shkrimtarja Cynthia Owick tha se bojkoti i prodhimeve gjermane është mënyra e saj për të kujtuar vuajtjet e hebrenjve. Nëse edhe sot ecni rrugëve të lagjes Wiedikon të Zürichut, aty ku jetojnë shumica e hebrenjve të metropolit zviceran, do të vëreni dukshëm më shumë vetura japoneze, madje në disa rrugë s’shihni asnjë veturë gjermane. Dhe kjo 73 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Pas një muaji fillojnë pushimet e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Mijëra e mijëra shqiptarë nga Gjermania, Zvicra, Austria, Italia, Sllovenia do të marrin rrugën për në atdhe. Do të kalojnë nëpër Serbi, aty do të lënë miliona euro duke blerë benzinë, duke u ndalur për kafe, dreka, darka, do t’i paguajnë ryshfet policisë dhe doganierëve serbë – dhe do të presin me orë të tëra në kufi mes Serbisë dhe Kosovës.

Është e qartë se nuk ka shumë alternativa se si të udhëtohet në Kosovë nga Zvicra apo Gjermania me veturë. Por, po të kishin Kosova e Shqipëria qeveri që punojnë për të mirën e kombit, atëherë do t’u bënin apel qytetarëve që nëse udhëtojnë me veturë, të marrin trajektin në portet italiane. Ose të vihet rend në transportin ajror, që gjatë pushimeve një biletë avioni nga Zürichu në Prishtinë të mos kushtojë deri në 800 euro. Por, kështu si shkojnë gjërat shpejt linjën ajrore të Air Serbia nga Zürichu në Prishtinë mund ta promovojnë edhe ministrat e Kosovës – bashkë me shefin e Odës Ekonomike të Serbisë. Shteti mbahet me krenari dhe me sakrificë. Kjo sot shumë shqiptarëve u mungon.