Viagra për tru për imamët pa tru

Nuk kalon ditë pa dhënë një deklaratë idiotike ndonjë imam. Bashkësia Islame hesht. Mediat i shpërndajnë me zell pallavrat e imamëve dhe opinioni argëtohet. Dikur edhe kafehania ballkanike ka pasur më shumë nivel. Nuk është kohë për argëtim kjo. Është kohë për rezistencë kundër ofensivës së hoxhallarëve të pafytyrë, të cilët duan ta bëjnë edhe popullin siç janë vetë: idiotë.



Sërish ka folur një budalla. Në opinion është prezantuar si imam dhe ndoshta edhe është imam, por mbi të gjitha kemi të bëjmë me një hajvan, i cili para besimtarëve flet aso gjepurash, saqë njeriu mund të mendojë se po jetojmë jo në vitin 2017, por në vitin 1717 apo më herët. Për shkaqe të higjienës publike këtu as emrin nuk po ia përmendim këtij hoxhe me mendësi paramilitare.

Ky imam me mendje të errët ka bërë disa premtime gjigante: në parajsë myslimanit pulat i vijnë të pjekura në tryezë. Ndoshta edhe peshqit fluturojnë në pjatë të gatshëm, pa hala. Duhet vetëm të shijohen. Për t’u shijuar janë, sipas hoxhës, edhe gratë, me të cilat myslimani i devotshëm në xhenet mund të bëjë seks tërë ditën dhe të mos lodhet. Kur hyn myslimani i devotshëm në parajsë ai me gjasë te porta pajiset me një viagër të përjetshme. Në parajsë, tha hoxha, bëhet edhe biznes, ka pazar. Ndoshta ka edhe bursë, javën tjetër ky imam ndoshta do ta njoftojë publikun për kursin e aksioneve në parajsë.

Mund të tallemi pa fund me gomarllëqet e reja që dolën nga ky imam. Por, kjo do të ishte kundërproduktive. Sepse, fatkeqësisht, ofensiva e imamëve për t’i budallallosur njerëzit ka marrë përmasa shqetësuese në botën shqiptare, sidomos në Kosovë dhe në Maqedoni – dhe nga atje ka efekte edhe në diasporë. Një imam i Prishtinës para disa vitesh pati thënë se në parajsë nuk ka vend për Nënë Terezën, sepse ajo është e krishterë. Domethënë imami sillej si gardian me çelësa të parajsës në dorë: ti hajde se je mysliman, ti jo se je e krishterë. Kaq e thjeshtë qenkësh kjo punë.

Publiku mund të tallet edhe me këtë deklaratë, siç është tallur me vite, por fakti që një imam i kryeqytetit lëshon këso deklarata siç lëshon gomari një pordhë tregon se Bashkësia Islame e Kosovës nuk është në nivelin e detyrës sa i përket përzgjedhjes së personelit. Si çdo firmë që i zgjedh punëtorët më të aftë edhe Bashkësia Islame duhet të kujdeset që imamët të jenë jo vetëm njohës të mirë të dogmave fetare, por mbi të gjitha të jenë njerëz që predikojnë të mirën dhe paqen – dhe me shëndet të mirë mendor.

Vërshimi i opinionit me imamë gojëndyrë e të paaftë lë pasoja të tmerrshme në shoqëri. A i keni parë ata besimtarët e trullosur nga predikimet bajate, të cilët pyesin hoxhën: «Aga hoxhë, a bën me e rreh gruan?» Në vitin 2017 në xhamitë kosovare shtrohen këso pyetjesh – shpesh kinse me humor. Në xhami të diasporës vijnë imamë nga Kosova dhe bëjnë thirrje të mblidhen para për vëllezërit në Siri – dhe thirrja shoqërohet me kërcënimin se nëse gratë e pranishme në sallë nuk kanë para, atëherë t’i dorëzojnë stolitë e tyre – vathë, unaza, qafore.

Një imam tjetër fyen figura kombëtare, gënjen për historinë e shqiptarëve, madhëron sundimin osman duke manipuluar me fakte. Prapë opinioni argëtohet. Por, kjo nuk është kohë për argëtim. Është kohë për rezistencë kundër ofensivës së hoxhallarëve të pafytyrë, të cilët duan ta bëjnë edhe popullin siç janë vetë: idiotë. Ky soj imamësh ka nevojë urgjente për viagra për tru, në mënyrë që të mos e ndotin në të ardhmen hapësirën e debatit publik me rropama kinse fetare. Kështu vetë imamët po e njollosin fenë islame.

Jehonën në shumë media e kanë të garantuar. Flet një hoxhë një budallallëk dhe gati të gjitha mediat digjitale e shpërndajnë videon apo llafet e tij. Vetëm distribuimi i marrëzive nuk ka qenë kurrë detyrë e mediave, madje as në diktatura. Detyrë e mediave është ta denoncojnë e demaskojnë këtë klikë imamësh pa tru dhe t’i bëjnë presion edhe Bashkësisë Islame të mbajë qëndrim kritik ndaj atyre imamëve, të cilëve u ka humbur fiqiri.