Vëzhguesit vendorë: zgjedhjet pozitive, pavarësisht incidenteve

Koalicioni i Vëzhguesve Vendor, KVV, nëpërmjet një njoftimi për shtyp të hënën dha një vlerësim pozitiv për procesin zgjedhor megjithë incidentet e vërejtura.

Komisionerë gjatë numërimit të fletëve të votimit, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Foto: LSA



«Në tërësi, dita e zgjedhjeve pati një ecuri pozitive të të gjithë procesit, pavarësisht incidenteve të vogla të vërejtura», tha KVV nëpërmjet një njoftimi për shtyp

«Trupa e administrimit zgjedhor, në përgjithësi, pati një sjellje të kënaqshme kundrejt respektimit të dispozitave ligjore dhe respektimit të të drejtave të votuesve», shtoi KVV.

Gjatë procesit zgjedhor KVV ka angazhuar rreth 1600 vëzhgues të pavarur të cilët kanë monitoruar procesin në 532 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin.

Sipas KVV-së incidentet e vërejtura gjatë procesit të administrimit të zgjedhjeve, theksojnë edhe një herë domosdoshmërinë e orientimit të komisionerëve në frymën e zbatimit të ligjit, nevojën e trajnimeve të thelluara dhe domosdoshmërinë e sjelljes së tyre si organizma jopolitike, apartiake dhe jopartizane.

«Qasja proaktive e institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit në adresimin dhe ndjekjen e çështjeve të korrupsionit zgjedhor është një zhvillim shumë pozitiv, i cili rezultoi në organikë me sjelljen institucionale dhe frymën e vërejtur përgjatë periudhës së fushatës zgjedhore, si pasojë edhe e marrëveshjes së 18 majit, pavarësisht problematikave që e kanë shoqëruar atë», u shpreh KVV.

Sipas KVV-së është shumë e rëndësishme që kjo qasje proaktive të demonstrohet me të njëjtin vullnet dhe forcë pas mbarimit të procesit zgjedhor, duke i çuar deri në fund organeve të drejtësisë të gjitha çështjet apo rastet e evidentuara, e duke riafirmuar edhe njëherë pamundësisë e dhënies së drejtësisë nga organet e zbatimit të ligjit.

«Partitë politike treguan se maturia, vizioni dhe dalja përtej interesave të ngushta të tyre mbetet një sfidë jo aq e paarritshme dhe e pamundur për to, si organizmat të cilat kanë marrë përsipër përmbushjen e aspiratave demokratike të popullit shqiptar», tha KVV.

«Është e rëndësishme që problematikat e vërejtura, që mund të kenë prekur interesat e tyre, të shtrohen në rrugën e duhur institucionale e ligjore, duke investuar me seriozitet të plotë edhe në investimin e duhur të organeve të drejtësisë zgjedhore», përfundoi KVV.

(https://www.reporter.al/vezhguesit-vendore-zgjedhjet-pozitive-pavaresisht-incidenteve/)