Vëzhguesit ndërkombëtarë: zgjedhjet të lira por administrimi i tyre i politizuar

Në raportin e tyre preliminar për zgjedhjet e 25 qershorit, vëzhguesit ndërkombëtarë nënvizuan se fushata ishte e lirë dhe të drejtat themelore u respektuan, por politizimi administratës zgjedhore e uli besueshmërinë e votuesve në proces.

Kreu i Delegacionit të Asamblesë Parlamentare Eduard Kukan gjatë prezantimit të raportit preliminar të vëzhguesve ndërkombëtar | Foto nga : AP



Misioni ndërkombëtar i vëzhguesve i përbërë nga OSBE-ODIHR, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe Parlamenti Europian nënvizoi në raport se zgjedhjet e së dielës u mbajtën pas marrëveshjes politike midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, e cila siguroi pjesëmarrjen e opozitës.

Sipas vëzhguesve palët garuese në zgjedhje ishin të lira të bënin fushatë dhe themelet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së tubimit u garantuan. Megjithatë, implementimi i marrëveshjes politike krijoi sfida për administratën zgjedhore dhe rezultoi në një aplikim selektiv dhe të paqendrueshëm të ligjit. Si rrjedhojë e politizimit të vazhdueshëm të komisioneve dhe institucioneve zgjedhore si dhe akuzave për blerje vote të gjithëpërhapura, besim i në proces ishte i ulët.

«Marrëveshja midis liderëve të partive kryesore politike, e cila bëri të mundur këto zgjedhje, ishte një hap pozitivë. Megjithatë, kjo marrëveshje gjithashtu vuri pengesa për procesin zgjedhor», tha Paolo Corsini, kreu i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. «Ka ardhur koha që Shqipëria të eci përpara me një demokraci të vërtet të bazuar në sundimin e ligjit», shtoi ai.

Sipas vëzhguesve zgjedhjet u mbajtën në sfondin e ndasive të mëdha politike midis PS-së dhe koalicionit qeverisës dhe Partisë Demokratike, si dhe me nivel të ulët të besimit të publikut në procesin zgjedhor. Marrëveshja e arritur me ndërmjetësim ndërkombëtar me 15 Maj ndërmjet liderëve të dy partive kryesore, i dha mundësinë PD-së të emëronte disa ministra në pozicione kyçe.

«Unë kam parë një dëshirë të madhe për të tejkaluar ngërçin politik që e ka mbajtur peng Shqipërinë për një kohë të gjatë», tha Marietta Tidei, kreu i delegacion të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. «Unë shpresoj që ky moment i krijuar nga marrëveshja politike, do të shfrytëzohet nga miqtë tanë shqiptarë për të arritur ambiciet e tyre vendore dhe aspiratat për integrim europian. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë», shtoi ajo.

Në të njejtën linjë ishte dhe kreu i delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan.

«Unë shpresoj që këto zgjedhje do të krijojnë atmosferën pozitive politike në mënyrë që qeveria të bëj progres për të zbatuar reformat e nevojsmë për ta çuar përpara procesin e integrimit në BE», tha Kukan.

(https://www.reporter.al/vezhguesit-nderkombetar-zgjedhjet-e-lira-por-administrimi-i-tyre-i-politizuar/)