Vetëvendosjes s’po i pëlqen Asociacioni i Luginës




Lëvizja Vetëvendosje është shprehur se shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (PMB) janë popullsi autoktone që vazhdojnë të jenë të shtypur, diskriminuar e të shfrytëzuar pavarësisht ndërrimit të qeverive në Beograd.

«Ata kanë të drejtë dhe detyrë që të organizohen dhe veprojnë për vullnetin, interesat dhe nevojat e tyre, për integrim e bashkim me njëri-tjetrin si dhe me Kosovën e Shqipërinë. Prandaj, ne e përshëndesim aktivitetin e tyre të sotshëm», thuhet në njoftimin e LVV-së.
Mirëpo, PMB nuk do të duhej që ta kopjojnë e imitojnë Beogradin dhe as të kufizohen vetëm te reagimet ndaj tij.
«Zajednicën’ në Kosovë nuk e kërkuan serbët e Kosovës por Beogradi i cili do më shumë territor të Kosovës për Serbinë e jo më shumë të drejta për serbët në Kosovë. Prandaj, politikanët shqiptarë në PMB duhet që njëkohësisht ta kundërshtojnë ‘Zajednicën’ e Vuçiqit me Mustafën në Kosovë e jo ta legjitimojnë atë me pasqyrim kërkese», thuhet në komunikatën e LVV-së.

Për më tepër, sipas LVV-së, «kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, duhet ta tërheq dhe ta shpallë të pavlefshme ‘Zahvalnicën’ që ia dha Vuçiqit para dy muajsh e të cilën nuk e publikoi asnjëherë se çfarë shkruante aty».
«‘Zahvalnica’ e Ragmi Mustafës për Vuçiqin në Preshevë dhe ‘Zajednica’ e Isa Mustafës për të njëjtin në Kosovë janë të lidhura. Përderisa Kosova e Shqipëria si shtete nuk e vendosin reciprocitetin me Serbinë, nuk do të ketë reciprocitet të drejtash e kompetencash në terren te popullsia e pushteti lokal», thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.