Vetëvendosje: «Zajednica» – tentim i dezintegrimit të skajshëm të Mitrovicës

Vetëvendosje e Mitrovicës, përmes një kumtese dërguar medieve, kundërshton kategorikisht përfshirjen e fshatrave Suhadoll, Vinarc dhe Gushafc në kuadër të komunës veriore të Mitrovicës.




Kërkesa e serbëve që në komunën e veriut të përfshihen të gjitha vendbanimet, fshatrat dhe lagjet shqiptare deri në lumin Ibër, është produkt i marrëveshjes së fundit të 25 gushtit gjatë dialogut për krijimin e Zajednicës. Me të krijohen parakushtet për një spastrim etnik të ri e të heshtur dhe kalim në kontroll të plotë të të gjithë rrjedhës së lumit Ibër dhe liqenit të Ujmanit në duar të serbëve, transmeton Koha.net.

Kjo po tentohet të bëhet nëpërmes nënshkrimit të një Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi ndërmjet dy komunave me çka në datën 10 tetor dhe do të definoheshin kufijtë e ri administrativë ndërkomunalë. Ky akt do të shoqërohej edhe me largimin e barrikadës mbi urën e lumit Ibër me 15 Tetor, por vetëm sa për të filluar me një renovim së paku 6 mujor me çka do të pamundësohej shfrytëzimi i kësaj ure tash edhe për këmbësorë.

Me përfshirje e këtyre fshatrave në komunën veriore ato automatikisht do të qeverisen nga “Zajednica”, respektivisht të dërguarit e Beogradit në Kosovë. E si kujdesen ata për shqiptarë vlen vetëm ta kujtojmë natën e 4 shkurtit të vitit 2000, ku brenda një nate u vranë 10 dhe u dëbuan mbi 12000 qytetarë, thotë ndër të tjera kumtesa.