Vetëvendosje thotë se «Kadri Veseli turpërohet nga historia kombëtare»

Lëvizja Vetëvendosje, duke reaguar ndaj rimbulimit me motive nga Kosova të muraleve në hollin e Kuvendit, të zbuluara ditë më parë prej saj, përmes një komunikate për opinion ka thënë se «Kadri Veseli turpërohet nga historia kombëtare», transmeton Koha.net.




Pas orarit të punës, fshehurazi, Kadri Veseli mbuloi muralet me motive kombëtare që gjenden në muret e Kuvendit të Republikës, e të cilat u zbuluan nga deputetët të enjten. Kur të gjithë po festonin fitoren e madhe të Kombëtares dhe kualifikimin për në Kampionatin evropian, Veseli, sikur UNMIK-u më herët, i mbuloi muralet që shfaqin momentet më të rëndësishme kuvendore të historisë sonë, Kuvendin e Lezhës dhe Lidhjen e Prizrenit. Sikur UNMIK-u, për të mos e zemëruar Beogradin zyrtar.

Përmes këtij veprimi, Kadri Veseli, e shpërfaq ‘demokracinë’ e vërtetë në Kuvendin kryetar i të cilit u instalua: për ato murale asnjëherë nuk u pyetën deputetët, nëse duhet të mbulohen, madje as që u diskutua fare për to. Kokë më vete, larg syve të publikut, Veseli vendosi që Kuvendi i Republikës po u dashka të turpërohet nga historia e shqiptarëve. Prandaj Veseli, qartazi i turpëruar nga kjo histori, vendosi ta mbulojë atë.

Në kohën kur ‘Zajednica’ po e kërcënon Republikën, e Qeveria po rrënon integritetin e Kuvendit, Veseli po e uzurpon vendimmarrjen deri edhe te disejnimi estetik i hollit të Kuvendit. Natyrisht që vendimmarrja për procese shtetrrënuese, të cilat e përjashtojnë popullin nga politika, e shoqërinë nga mirëqenia, reduktohet vetëm në institucione, e brenda tyre në shumë pak njerëz. Kur projekti është antidemokratik, procedura nuk mund të jetë demokratike.

Kadri Veseli ka bërë çmos për ta përmirësuar imazhin e tij. Trashëgiminë e shefit të ShIK-ut është munduar ta shpërlajë me paraqitjen e tij prej një kryetari jashtëzakonisht të kujdesshëm të Kuvendit. Por ky është vetëm imazhi i Veselit. Veseli i vërtetë mbetet ai i ShIK-ut, shefi i punëve të fshehta, ai i vendimeve dhe veprimeve sekrete.

Mbulimi i muraleve kombëtare në Kuvendin e Republikës së Kosovës është akt i papranueshëm nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe do të kundërshtohet me ngulm.