«Vetëvendosje» me kallëzim penal ndaj kreut të Novobërdës




«Vetëvendosje», dega në Novobërdë, ka ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Gjilanit ndaj kreut të Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq, për dëmtim të buxhetit komunal dhe përfshirjen e tij në nepotizëm.

 

Kallëzimi penal ka si bazë raportin e Auditorit të përgjithshëm për vitin 2014, që kishte konstatuar se udhëheqja e Novobërdës e cila drejtohet nga Ivanoviq, qëllimisht, ka dëmtuar buxhetin komunal në vlerë prej 14 mijë eurosh, duke futur në listën e pagave 10 punëtorë fiktivë në sektorin e Arsimit, shkruan sot «Koha Ditore».

Gjithashtu, pjesë e këtij kallëzimi penal është edhe përfshirja e tij në nepotizëm i kreut të Komunës i cili kishte punësuar gruan e tij në sektorin e Kulturës pa zhvilluar ndonjë proces të rekrutimit, e cila asnjëherë nuk kishte shkuar në vendin e punës. Megjithatë kishte marrë 4 mijë e 273 euro. Gjithashtu në sektorin e Shëndetësisë ishin pranuar tre punëtorë shëndetësie pa ndonjë proces të rekrutimit ku për paga ishin shpenzuar 10 mijë e 432 euro.