Vetëvendosje kritikon qeverisjen e Ferizajt për gjendjen në shëndetësi

Lëvizja Vetëvendosje, qendra Ferizaj, ka kritikuar udhëheqësinë e kësaj komune duke thënë se edhe përkundër zotimeve të vazhdueshme nga udhëheqësia aktuale se gjendja shëndetësore e qytetarit ferizajas do të përmirësohet me kalimin e kohës, një gjë e tillë nuk po ndodh në terren.




Mungesa e koordinimit në mes të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe Qendrës Kryesore të Mbrojtjes Familjare; inatet mes ish pushtetit të mëhershëm të PDK-së dhe pushtetit të sotëm të LDK-së; mungesa e barnave esenciale; keqpërdorimi i marrjes së gjakut për analiza dhe dalja e tij nga QKFM në ordinancat private, janë vetëm disa nga shqetësimet kryesore për të cilat Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj ka konstatuar se keqpërdorimet në shëndetësi nuk po ndalen, por po rriten si pasojë e mungesës së profesionalizmit.

«Vërejtjet dhe sugjerimet tona, ky pushtet duhet t’i marr me dashamirësi jo me inate politike, sepse kjo ju sjellë dëm më shumë komunitetit dhe shoqërisë sonë. Kështu, po ndodh edhe me prolongimin e ndërtimit të spitalit, gjoja se vendi i ndërtimit nga ish pushteti është i papërshtatshëm, dhe për këtë duhet një lokacion tjetër, kjo më shumë është në dëm tonin duke i larguar investitorët, dhe vonesa për ndërtim, më shumë i shkakton kokëçarje të sëmurit. Po ashtu, skandale me punëtorët shëndetësorë të pranuar nga CARITAS-i, të cilët u larguan nga puna dhe pas një jave ata përsëri u kthyen. Gjithashtu situata epidemologjike e tuberkulozit vazhdon të jetë siç ka qenë më herët, pra nuk punohet pesë herë në jave nga dy orë në ditë», tha ndër të tjera udhëheqësi i Nënkomitetit për Shëndetësi, Shyqeri Hyseni.

Ndërsa, anëtari i këtij Nënkomiteti, Enver Ismaili tha se është shumë shqetësuese që të merret gjaku për analiza në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, dhe të dërgohet nga aty në institucione private.

«Kjo po ndodh me dijeninë e Drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale», theksoi Ismaili.