Vetëvendosje këmbëngul: Albin Kurti u arrestua pa urdhër arrest

Një kumtesë e Vetëvendosje dërguar medieve hedh poshtë pohimet e Policisë e të Prokurorisë se deputeti i saj Albin Kurti është arrestuar me urdhër arrest.




Në këtë kumtesë vetëvendosje ka thënë:
Gënjeshtra e pushtetit nuk zgjati më shumë se një ditë. Sot vetë kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, pranoi që për arrestimin e Albin Kurtit nuk ka pasur urdhër arrest nga prokuroria.

Kjo e vërtetoi edhe njëherë paligjshmërinë e arrestimit të Albin Kurtit dhe e vuri në pah se si ky në fakt ka qenë kidnapim prej policisë i një deputeti të zgjedhur nga populli, transmeton Koha.net.

Skandalet e tilla tregojnë që shteti është kapur nga dy partitë në pushtet dhe po përdoret në njërën anë për t’i liruar nga akuzat djemtë e kryeministrit dhe në anën tjetër për t’i persekutuar kundërshtarët e tij politikë. Vënia e policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë në funksion të mbrojtjes së «Zajednicës» është e papranueshme dhe duhet të ndalet. Sa më herët, aq më mirë.

Nuk ka pushtet dhe polici që do të arrijë sukses në shtypjen e vullnetit të popullit për një Kosovë të lirë, sovrane dhe të zhvilluar, përfundon kumtesa.