«Vetëvendosje» fton kryeprokurorin t`i hetojë keqpërdorimet




Koordinatori i qendrës së lëvizjes «Vetëvendosje» në Ferizaj, Emrush Xhemajli, e ka ftuar edhe publikisht kryeprokurorin e Ferizajt, Agron Çalaj, për vullnet shtetëror dhe hapa konkretë për hetimin e keqpërdorimeve që janë denoncuar publikisht nga ky subjekt për këtë komunë.

 

«E kemi ftuar publikisht atë, kurse Prokuroria duhet të vijë te ne për të hetuar ato që kemi thënë në publik. Por, para së gjithash, Prokuroria e Ferizajt duhet të ketë një vullnet politik e shtetëror për të hetuar. Nëse ata nuk duan të vijnë te ne, atëherë edhe ne mund të shkojmë të Prokuroria, sepse jemi në shërbim të shtetit», i ka deklaruar Emrush Xhemajli të hënën «Kohës Ditore».

Ndërkohë që, vetë kryeprokurori i Ferizajt, Agron Çalaj, e ka konfirmuar të hënën se në qoftë se informacionet publike që kanë dhënë drejtues të VV-së së Ferizajt kanë bazë për hetim, kjo edhe do të ndodhë.

«Në qoftë se informacioni është i natyrës së besueshme, ne mund të nisim hetimet», ka thënë shkurt ai.