Vetëvendosje duhet të bashkohet!

Të gjithë – ata që dolën nga VV dhe ata që mbetën në VV – duhet të tejkalojnë egot e tyre, sepse vetëm kështu mund të arrijnë ndonjë ndryshim pozitiv në politikën e Kosovës.



Vetëvendosje duhet të bashkohet! Mund të tingëllojë si një thirrje në shkretëtirë. Si një thirrje në drejtim të të shurdhërve. Të verbërve. Në kuptimin politik të verbër, sepse kështu të gjithë këta djem e vajza ende s’kanë probleme me sy, por gjithsesi, siç u pa, të gjithë kanë probleme të mëdha me tejkalimin e egove të tyre, me ndarjen e inateve personale nga programi politik, me ndarjen e dhembjeve të çastit me misionin politik.

Vetëvendosje kishte (dhe mbase ka ende) një mision: ndryshimet e mëdha politike në Kosovë. Nuk duhet pasur pritje të mëdha nëse VV vjen një ditë në pushtet, por gjithsesi një qeveri ku do të jetë edhe VV, qoftë edhe si partner junior, do të shtrojë pyetje të pakëndshme dhe pafundësisht të nevojshme: si ndodhi që kasta politike që po e sundon Kosovën qe së paku 20 vjet arriti të falimentojë gati çdo gjë që preku me dorë? Si u bë që pothuaj çdo privatizim po përfundon në arbitrazh dhe Kosova po paguan miliona, të cilat me gjasë i ndajnë «investitorët» dhe ortakët politikë të Kosovës? Pse gati çdo tender shton dyshimet për korrupsion? Përse kemi politikanë që në opinion njihen vetëm si përqindje: ky i merr 10 për qind për një tender, ky tjetri është më i shtrenjtë, kërkon 20 për qind.

Vetëvendosje duhet të bashkohet! Po, kjo tingëllon si iluzion. Por, iluzion dikur ka qenë edhe intervenimi i NATO-s për çlirimin e Kosovës. Në politikë asgjë nuk është e pamundshme, duhet vetëm pak vullnet politik për të parë në horizont dhe jo për të këmbëngulur në vija të kuqe. Vijat e kuqe djemtë dhe vajzat e VV-së dhe ata që ikën nga VV duhet t’i mbajnë ndaj atyre partive që plaçkitën e shkatërruan Kosovën.

Çfarë të bëhet si hap i parë? Duhet të reflektojë Albin Kurti. Ai duhet të vendosë një raport normal komunikimi me këta që ikën nga partia, jo për t’i lutur të kthehen, por për t’ua bërë të qartë se është i gatshëm të korrigjojë defektet e deritanishme. Dhe defekte ka pasur. Nuk mund ta mbrojnë Albin Kurtin militanët nga Visar Ymeri. Me autoritetin e madh që ka brenda partisë, Kurti është dashur të jetë shumë më aktiv në denoncimin e brigadave të Facebookut që tërë ditën me ton nënoficerësh diktatorial sulmojnë çdokënd që guxon të jetë pak kritik ose u futen njerëzve në oborr dhe u shkruajnë parulla kërcënuese apo fyese. Një Vetëvendosje e tillë nuk i bën nder Albin Kurtit. Një VV e tillë është njollë turpi. Albin Kurtin nuk mund ta mbrojnë as emisarët politikë të Tiranës brenda Vetëvendosjes. Po të ishin aq kreativë dhe të besueshëm do të themelonin në Tiranë një Vetëvendosje, do të vinin në pushtet, do të anulonin të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që i ka nënshkruar Shqipëria për pranimin e kufijve në Ballkan dhe vërtet do të angazhoheshin për bashkim kombëtar, duke braktisur retorikën muskuloze pa asnjë përmbajtje. Një retorikë prej së cilës edhe Kurti është i hipnotizuar dhe shpesh duket si një aktivist i vogël majtist i viteve ’60 apo ’70.

Në thelb Kurti nuk është i tillë. Është larg më i mençur se shumica e politikanëve shqiptarë, është i vetmi politikan i Kosovës para të cilit kanë respekt (ndoshta edhe frikë për shkak të inferioritetit ndaj tij) edhe disa politikanë të Tiranë të etur për protagonizëm rajonal. Edhe në raport me botën sllave të Ballkanit Kurti luan në një ligë tjetër në krahasim me udhëheqësit politikë të Prishtinës, të cilët nuk shquhen as për dije, as për njohje të ndonjë gjuhe të huaj. Belbëzojnë dhe s’thonë asgjë më shumë se përralla të rëndomta dhe të dëgjuara shpesh.

Reflektimi i Kurtit nuk mjafton, kjo është e qartë. Për bashkimin e VV-së duhet të ketë një kthesë radikale të atyre që dolën nga partia. Secili duket se ka motivet e veta, ndoshta edhe interesat e përkthyera në kuletë. Ndonjëri mund ta ketë bërë këtë, pra largimin, sepse është lodhur nga beteja politike, gjatë së cilës janë bërë gabime. Hedhja e gazit lotsjellës ka qenë gabim. Gjuha linçuese kundër çdokujt që kritikon VV-në po ashtu. Sjellja sikur me ardhjen e VV-së në pushtet Kosova bëhet si Izraeli dhe sfidon tërë botën ka qenë po ashtu një legjendë. Por duket se një nga arsyet kryesore të daljes së një pjese të politikanëve prominentë nga VV ka qenë iluzioni se opinioni kosovar mezi po pret një parti të re. Kjo nuk është e vërtetë, së paku jo me një Vetëvendosje light që quhet GDP, por që në start nuk arrin të bind pothuaj askënd. Po të mbaheshin sot zgjedhjet në Prishtinë, Shpend Ahmeti do të humbte bindshëm. Andaj largimi i tij nga VV pa shpjegime të bindshme është edhe mungesë respekti ndaj atyre që e kanë zgjedhur kur me krenari mbante në gjoks emblemën e VV-së. Bile këta që tani quhen GDP përpiqeshin të bëheshin edhe më radikalë se ata të LPK-së në VV, që me gjasë shahadet politik i kanë ende veprat e Enver Hoxhës. Tani kur gëdëpëistët përpiqen të duken si superliberalë, madje edhe me ndeja me figura të pushtetit aktual, nuk duhet të kenë fare pritje se dikush i merr seriozisht.

Në përgjithësi, çfarë kemi parë muajve të fundit e rastin e ndarjes së VV-së ka qenë një Kindergarten, një rrëmujë si në çerdhe fëmijësh të paedukuar, të cilët nuk mund të frenojnë egon – dhe të parët që duhet përmendur janë Albin Kurti dhe Dardan Molliqaj, të cilët me vite të tëra – në ditë të mira dhe të vështira – ishin bashkë. Çfarë ndodhi mes tyre? Kurti fillon të besojë se Molliqaj po i përgatit një komplot dhe e largon me veprim autoritar nga posti drejtues në parti, Molliqaj ndihet i fyer në sedër dhe si në mejhanet ballkanike vendosë të thyejë gotat. E, sa për të thyer as Kurti nuk ia lëshon rrugën. Cili është fajtori? Për adhuruesit e Kurtit është e qartë: Molliqaj. Madje nuk ndalen duke e stigmatizuar atë që deri dje e çonin në qiell dhe krejt panevojshëm i jepnin edhe cilësi hyjnore. Por jo gjithçka është bërllok çfarë ka thënë Molliqaj. Gabimi i tij është se lejoi të bëhet mashë në duart e mediave të pushtetit, të cilat e bartnin nëpër studio si trofe. Nganjëherë duhet pasur kujdes kush të lavdëron, sidomos kush të lavdëron nga shpura e mercenarëve «publicistikë» të nëntokës politike të Prishtinës.

Në emisionin «Rubikon» Glauk Konjufca u mundua të ironizojë mjaft me ata që dolën nga partia, ndërsa Molliqajn e shënjoi si fajtorin kryesor. Por kjo është një analizë e zbehtë e Konjufcës, sepse fakt është se nga partia dolën një e treta e deputetëve të VV-së. Ndoshta krerët e VV-së duhet të pyesin veten përse ndodhi kjo? Përse në VV ka aq shumë paranojë se çdokush që është kritik detyrimisht është ose «njeri i ambasadave», «i shërbimeve», «i dreqit dhe të birit». Kurti, Konjufca dhe ndonjë tjetër në VV kanë shumë punë nëse duan të bëjnë një kthesë pozitive në skenën politike të Kosovës.