VV paralajmëroi, pastaj anuloi aksionin simbolik për korrupsionin

Lëvizja Vetëvendosje në orën 13 e 47 minuta njoftoi mediet përmes rrugëve elektronike se në orën 16 do të zhvillonte një aksion simbolik për korrupsionin, por pak minuta më vonë njoftoi për anulimin e tij.




«Njoftim për aksion simbolik

Sot, më 25 shtator, në ora 16:00, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizon aksion simbolik në lidhje me deklaratat e fundit të krerëve të shtetit për korrupsionin, transmeton Koha.net. Aksioni mbahet para Qeverisë së Kosovës.

Ju ftojmë të na ndiqni!

Gjithë të mirat», thoshte njoftimi.

Por në orën 14 e 4 sekonda nga Sekretariati për media dhe komunikim i Lëvizjes erdhi njoftimi tjetër:

«Përshëndetje,

Ju njoftojmë se aksioni simbolik i paraparë për në ora 16:00, anulohet.

Gjithë të mirat

Lëvizja VETËVENDOSJE!»

Ndërkohë nga kjo Lëvizje u bënë të ditura arsyet e shtyrjes së këtij aksioni.

«Nuk arritëm të përgatitemi si deshëm, prandaj e anuluam», i tha Koha.net-it Frashër Krasniqi.

Sot u mblodh Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit (KKKK), për të diskutuar me temë «Sfidat në parandalim dhe luftimin e korrupsionit». Takimi u kryesua nga presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga.

Në mbledhje për luftimin e korrupsionit diskutuan përfaqësuesit e institucioneve më përgjegjëse të vendit.