Vetëvendosja e Angela Merkelit

Krizat dhe mospajtimet, siç po shpërfaqen në Lëvizjen Vetëvendosje, janë diçka e zakonshme në partitë politike. Dy shembuj nga Gjermania mbi emancipimin politik dhe refuzimin e idhujve.



Është tepër zbavitëse të shohësh disa mbështetës të Albin Kurtit duke e lartësuar atë në politikan të nivelit global, në udhëheqës të përmasave planetare, në bajraktar të «çështjes kombëtare» – e çka jo tjetër. Madje ka edhe thirrje nga komisarët politikë nga Tirana që të gjithë aktivistët të bëhen «ushtarë të Albinit», thua se Kosova gjendet para një lufte me Korenë e Veriut. Krejt kjo bëhet me qëllim që të tregohet sa e poshtër na qenkësh Aida Dërguti pasi u bë publik një muhabet në viber nga një grup deputetësh të Lëvizjes Vetëvendosje. Natyrisht gjuha e deputetes Dërguti më shumë flet për të.

Se ekzistojnë mospajtime në VV dihej ngaherë. Por, asnjëri nga kritikët e Kurtit nuk mori guximin që mospajtimet t’i prezantojë publikisht. Ngacmimet shpreheshin me bende. Për shembull javën që shkoi Dërguti doli me një falënderim publik në Facebook ndaj Zafir Berishës të partisë Nisma për kontributin e tij në fitoren e VV-së në Prizren, ndërsa angazhimi i Kurtit nuk u përmend fare. Tek pasi mbështetësit e Kurtit, këta rojtarë të Facebookut, hodhën kritika ndaj saj për këtë «lëshim», ajo shtoi se për të fituar Prizrenin ndihmuan edhe aktivistët e VV-së dhe LDK-së në Prizren. Se raportet mes krerëve të VV-së janë acaruar tregon edhe pretendimi i Dardan Molliqajt se «Shpendi e fitoi Prishtinën pa Albinin», gjë që acaroi nervat e fansave të Kurtit.

Megjithatë, mbështetësit agresivë të Kurtit nuk po e kuptojnë një gjë: lideri shumëvjeçar i VV-së nuk është as mesia, as shenjtor, as i paprekshëm, as evlia, as profet. Edhe ndaj tij duhet të jetë e lejuar kritika. Sepse Albin Kurti nuk është i pagabueshëm. Recitimet në fushatën e fundit zgjedhore, premtimet boshe se sapo të vijë VV në pushtet do të organizohet referendum për bashkim me Shqipërinë, mungesa e distancës higjienike ndaj islamit politik dhe figurave militante të infiltruara nga Lëvizja Popullore e Kosovës në VV, janë gabime sidomos të Kurtit.

Nga ana tjetër: meritat e Kurtit gjithsesi janë historike. Me retorikën e tij shpeshherë brilante, guximin dhe vendosmërinë për t’u përballur me anët e këqija të partive në pushtet, Albin Kurti e ka pozicionuar veten në mesin e politikanëve më të rëndësishëm të Kosovës në fillim të këtij shekulli. Andaj ambiciet e tij për të qenë – sërish – në krye të partisë janë legjitime. Por, këtë ai mund ta arrijë pa i bërë dëm partisë vetëm nëse është i gatshëm të ballafaqohet edhe me kritika dhe nëse distancohet nga «besimtarët» politikë që kanë filluar ta quajnë «babë».

Kurti ka dy rrugë: të mbajë afër vetes ata me të cilët VV u zgjerua dhe u bë partia e parë në Kosovë apo të merret me vizatim të kufijve në Ballkan, me çlirimin e Çamërisë, me luftimin e shfrytëzuesve kapitalistë në Afrikë dhe Azi dhe me vendosjen e një rendi të ri botëror. Kjo edhe për Albin Kurtin është barrë e rëndë. Me rritjen e fuqisë rritet edhe përgjegjësia. VV nuk është më një organizatë joqeveritare që merret me politikë, por partia më e madhe politike në vend. Si e tillë ajo nuk duhet ta shohë pavarësinë e Kosovës si diçka të përkohshme për shkak se më së largu në Kukës në pret parajsa.

Kritika ndaj Kurtit do të duhej të shprehej hapur edhe brenda partisë, sepse kjo do të tregonte pjekurinë dhe emancipimin politik të funksionarëve të lartë dhe të anëtarësisë. Meqë Aida Dërguti nuk është Angela Merkel, ajo kritikën e saj e shprehu ashtu siç e shprehu – në viber. Tek pasi u bë publik ai muhabet, ajo doli me disa kritika përgjithësuese. Ndonëse rrethanat janë të pakrahasueshme, karriera e Angela Merkelit ndoshta mund t’ju shërbejë disave në VV – e sidomos Dërgutit – për të zhvilluar debat si duhet dhe për të lënë llafet e qymezeve të Prishtinës dhe skutave të Facebookut.

Kur në fund të viteve ’90 u bë e ditur se kancelari Helmut Kohl, patriarku deri atëherë i paprekshëm i partisë konservatore CDU, kishte marrë donacione ilegale për të financuar partinë, Merkel, atëbotë sekretare e përgjithshme e partisë, botoi më 22 dhjetor 1999 një editorial në gazetën «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Teksti i Merkelit ishte një thirrje për t’u shkëputur nga Kohli, i cili e kishte drejtuar partinë 25 vjet dhe tani po e diskreditonte atë duke refuzuar të tregojë emrat e donatorëve. Kohli, shkroi Merkel, «i ka bërë dëm partisë», andaj, sipas saj, nuk është e pranueshme që ai për një veprim të kundërligjshëm të vë fjalën e tij mbi të drejtën dhe ligjin. «Vetëm mbi një themel të vërtetë mund të krijohet ardhmëria». Pakënaqësia me Kohlin ishte rritur edhe për shkak se ai pengonte reformat në parti dhe rreth vetes kishte tubuar funksionarë që dinin vetëm të thonë «po». Pas kritikës së ashpër të Merkelit shumë analistë politikë në Gjermani prisnin ndarjen e partisë. Kjo nuk ndodhi. Më 2005 CDU u kthye në pushtet dhe në vitin 2017 Merkel gjendet para mandatit të katërt si kancelare. Albin Kurti nuk ka bërë asgjë që mund të krahasohet me mëkatet e Kohlit. Madje në Kosovë nuk ka sot për sot politikan që është më i besueshëm kur flet kundër korrupsionit se Kurti. Nga kjo sjellje është mirë të marrin mësim disa në VV.

Ka edhe diçka për të mësuar nga Gjermania. Posti i kryetarit të partisë nuk i falet askujt, së paku jo në partitë me organizim demokratik. Në kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë në nëntor 1995 kandidati i vetëm për kryetar ishte kryetari i deriatëhershëm Rudolf Scharping. Por, shumë delegatë ishin të pakënaqur me Scharpingun, sidomos pas fjalimit të tij të zbehtë. Këtë moment e shfrytëzoi Oskar Lafontaine, një elefant i socialdemokracisë gjermane, dhe shpalli kandidaturën e tij gjatë kongresit. Ai fitoi, por në zgjedhjet e vitit 1998 nuk ishte kandidat për kancelar, sepse partia vlerësoi se më shumë shanse për të mposhtur Helmut Kohlin kishte Gerhard Schröderi. Kështu edhe ndodhi: Schröder u bë kancelar, Lafontiane ministër i Financave. Më 1999 Lafontaine papritmas braktisi partinë, siç tha, për «shkak të punës së dobët ekipore». Më vonë ai vazhdoi të merret me politikë në kuadër të së majtës postkomunsite dhe duke notuar në ujërat e turbullta të popullizmit. Por, ministër nuk arriti të bëhej kurrë më. Ndoshta edhe në VV e kupton ndokush këtë paragraf në këto ditë të acarta e plot nervozë jo vetëm virtuale.