Veteranët kërcënojnë edhe me dhunë Policinë e Kosovës

Kanë ardhur për të marrë bekimin e përfaqësuesve të tyre që të premten të protestojnë për vonimin e procesit të verifikimit, por u kthyen të zhgënjyer.




Kanë ardhur për të marrë bekimin e përfaqësuesve të tyre që të premten të protestojnë për vonimin e procesit të verifikimit, por u kthyen të zhgënjyer.

«Na kemi menduar se ata janë me ne, por jo ata janë kundër nesh», ka thënë Jeton Kuçi, përfaqësues i Veteranëve të Kaçanikut, raporton KTV.

Pavarësisht mosmbështetjes nga qendra, ata janë të vendosur që të premten të bllokojnë pikëkalimet kufitare në Kaçanik. Madje, kanë potencuar se do të dalin të uniformuar dhe nëse është nevoja, me dhunë do t’i përgjigjen Policisë së Kosovës.

Kundër protestës është shprehur edhe ish-komandanti i tyre në luftë, Agim Çeku.

Çeku ka pranuar një pjesë të fajësisë për vonimin e procesit, por ka potencuar se gjithçka do të përfundojë brenda kësaj jave.

Thotë se në takim me kryeministrin, i është thënë se qysh nesër nënshkruhet udhëzimi administrativ që cakton shumën dhe mënyrën e aplikimit. Të mërkurën, udhëzimi fuqizohet në qeveri dhe të enjten veteranët do të mund të nisin aplikimin për të drejtat e tyre.

Pagat retroaktive nuk do të mund t’i marrin nga 1 janari, por nga 1 korriku, pasi buxheti u rishqyrtua në qershor, transmeton Koha.net.

Veteranët luftëtarë aplikimin për pension duhet ta bëjnë në Prishtinë, ku do të duhet prezantuar vërtetimin së janë veteranë dhe certifikatën e lëshuar nga ATK-ja që nuk janë në marrëdhënie pune, qoftë në sektorin publik apo atë privat.