Veteranët e Golemit

1,8 milionë banorë, por 2 milionë veteranë: si u shndërruan listat me veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në farsë – dhe përse kritika e shefit të PDK-së është tepër e vonshme.

Foto: Shutterstock



Ka shumë rrëfime mbi ushtarët e rrejshëm të UÇK-së. Të tillë që pas luftës në plazh të Durrësit tregonin se si «në zonën e Llapit» nuk u kanë lënë vend forcave serbe duke i gjuajtur «me gulinov».

Së fundi një koleg nga Tirana po më tregonte se si gjatë luftës së Kosovës kishte strehuar në shtëpinë e prindërve të tij në Golem afër Durrësit disa familje nga Dukagjini. Pas një debati të gjatë për të sqaruar kuptimin e fjalës «sobë» (në Shqipëri kështu i thonë stufës, shporetit, ndërsa në Kosovë, nën ndikimin e serbishtes, në zona rurale fjala «sobë» ka kuptimin e dhomës), familjet u adaptuan disi në ambientin e ri dhe po prisnin përfundimin e luftës.

Kur më 10 qershor 1999 trupat serbe filluan të tërhiqen nga Kosova dhe NATO nisi stacionimin e gati 50 mijë ushtarëve, kolegu im nga Tirana ishte ndër gazetarët e parë që hyri në Kosovë për të raportuar. Dy javë më vonë ai u kthye në Golem dhe aty i gjeti ende familjet kosovare. «Lufta në Kosovë ka mbaruar. Po deshët mund të ktheheni», u tha gazetari grave kosovare që gjendeshin në shtëpi. Ato u përgjigjen: «Po, por burrat s’po gjejnë ende uniforma».

Për fat të keq kjo është historia e shumë «veteranëve» të UÇK-së. Pas luftës shumë kosovarë u bënë luftëtarë të mëdhenj, heronj të «gulinovit», gjeneralë e kolonelë, «komandantë» e çka jo tjetër. Më shumë se buka në pazarin e Kukësit në verën e vitit 1999 ishin të kërkuara uniformat ushtarake. Pak burra dëshironin të ktheheshin të veshur me rrobe civile në Kosovë. Uniforma atyre ua kthente një grimë dinjiteti, të cilin ua kishte shkelur Serbia.

Shumica prej tyre nuk ishin fajtorë për mospjesëmarrje në luftë. Dihet tashmë mirë se mes fjalëve të mëdha nga «Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së» dhe organizimit real të luftës ishte një hendek i thellë. Në momente të caktuara gjatë luftës më shumë energji është harxhuar për beteja jo vetëm politike mes fraksioneve të ndryshme shqiptare se sa në mësymje me armë kundër forcave serbe. Secili që ka marrë pjesë në luftën për çlirim duhet të gëzojë respektin e duhur nga shoqëria. Por, po aq respekt duhet të gëzojnë edhe të tjerët që në forma të ndryshme kanë ndihmuar në çlirimin e Kosovës, ndërsa në luftë nuk kanë mundur të marrin pjesë ose për shkak se nuk kishte mjaft armë, ose për shkak se nuk ua merrte mendja të luftonin nën komandën e një kimisti të deklaruar si invalid në Zvicër, i cili pas luftës do të shndërrohej në tregtar të patundshmërive, kuptohet duke shkelur ligjin.

Numri i veteranëve të UÇK-së nisi të shtohej kur qeveria filloi regjistrimin e tyre dhe paralajmëroi se do t’u paguajë pensione të gjithë atyre që me forcën e armës kishin ndikuar në përzënien e autoriteteve serbe nga Kosova. Kështu Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit dhe Veteranit të UÇK-së bëri të ditur se numri i veteranëve është 46’230 veta. Një shifër marramendëse, të cilën nuk e besonin as vetë krerët e UÇK-së, por si politikanë nuk ishin të interesuar ta kontestojnë publikisht, sepse veteranët janë edhe votues, kanë edhe familje. Pra, kjo kategori sidomos nga Partia Demokratike e Kosovës shikohej edhe si rezervuar për vota. Për të marrë pensione më të majme disa veteranë madje gënjyen se kanë qenë të plagosur në luftë. Në një faqe anonime të hapur në Facebook u denoncuan dhjetëra mashtrues.

Tani kryetari i PDK-së në një letër të gjatë e quan të turpshme përpjekjen e disa njerëzve që, pa marrë pjesë në luftë fare, kanë arritur të fitojnë statusin e veteranit. Ai kërkon nga shoqatat e veteranëve, të cilat në të vërtetë janë njëfarë pararoje e PDK-së, t’i pastrojnë listat. Alarmi i shefit të PDK-së është i vonshëm, rrjedhimisht edhe hipokrit.

Aktualisht nga arka e shtetit marrin pensione 28 mijë ish-luftëtarë të UÇK-së, ndonëse sipas vlerësimeve reale pas luftës UÇK nuk kishte më shumë se 10 mijë ushtarë aktivë. Vetë e ashtuquajtura qeveri e përkohshme e krerëve të UÇK-së tha se kjo organizatë kishte rreth 20 mijë ushtarë, por këto pretendime duhet marrë me rezervë, sepse pas luftës shefat e UÇK-së kishin interes të fryjnë numrin e luftëtarëve për arsye politike.

Tani kur është parë se shteti i Kosovës nuk ka mundësi financiare të paguajë pensione në lartësi prej 250, 170 apo 120 euro për kategori të ndryshme të veteranëve, kryetari i PDK-së bën një tërheqje taktike, ndonëse partia e tij është e para që i ka prirë dhe e ka shkaktuar këtë kaos. Llogaritet se me këtë nivel të pagesave në 20 vitet e ardhshme Kosova do të paguajë për veteranë së paku dy miliardë euro.

Në të njëjtën kohë nëpunës civilë, të cilët i kanë shërbyer Kosovës me dekada (që nga koha e autonomisë në Jugosllavi) marrin pensione fyese, ndonëse kontributi i tyre për zhvillimin, arsimimin dhe emancipimin e shoqërisë kosovare në shumë raste mund të jetë dukshëm më i madh se i ndonjë veterani, pa përmendur këtu veteranët mashtrues. Kush i jep fund kësaj farse? Jo ata që janë autorë të saj.