Veteranët «bllokuan» Qeverinë për vërtetimet e pensionit

Dyert e Qeverisë së Kosovës janë bllokuar nga një numër i madh veteranësh të luftës, të cilët kanë ardhur për të marrë vërtetimin, me të cilin do të aplikojnë për pensionin e veteranit. Ata kanë shprehur revoltën e tyre për radhët e gjata, për faktin se një vërtetim të tillë kanë mundur ta nxjerrin në shoqatat e veteranëve nëpër komuna, raporton KTV.




«Që nga orët e para të mëngjesit me qindra veteranë ua kanë mësyrë dyerve të qeverisë së Kosovës për të nxjerrë vërtetimin që ua njehë atyre kontributin në luftë».

Vetëm para mesditës rreth 600 veteranë u pajisen me vërtetimin.

Tri sportele të vendosura në bodrumin e ndërtesës së Qeverisë do të punojnë pa ndërprerë, nëse është nevoja edhe pas orarit deri në pajisjen e të gjithë veteranëve me këtë vërtetim, ka thënë për KTV-në udhëheqësi i Zyrës për Veteranë në Qeveri, Faik Fazliu.

Ai është shprehur optimist se brenda kësaj jave do të përfundojë ky proces.

Për shkak të tollovisë së madhe një veteran është alivanosur gjatë pritjes.

Nga Opoja e largët, Prizreni, Deçani, Skenderaj e Podujeva veteranët luftëtarë, tashmë të papunë, kanë ardhur në Prishtinë dhe kanë shprehur revoltën e tyre pse nuk iu mundësua që një vërtetim të tillë ta nxjerrin në zonat ku edhe luftuan.

Por Fazliu ka bërë të ditur se ka arritur të ketë marrëveshje vetëm me Deçanin dhe Gjilanin që veteranët të aplikojnë nëpër komuna dhe më pas Shoqatat të sjellin listën dhe qeveria do t’i pajisë me vërtetim.

«Radhë të gjatë janë edhe në Administratën Tatimore të Kosovës ku veteranet po presin për të nxjerrë vërtetimin i cili dëshmon se ata janë të papunë që më pas së bashku me vërtetimin se janë veteranë luftëtar do të aplikojnë për pensione».

Procesi i verifikimit ende nuk ka përfunduar, pasi disa zona ende janë në procesin e rishqyrtimit të listave të veteranëve, megjithatë rreth 14 mijë veteranë pritet të gëzojnë të drejtën e pensionit, i cili kap vlerën prej 170 eurosh.

Po pavarësisht kësaj, veteranët thonë se do të insistojnë që qeveria të mbajë zotimin e dhënë në fillim viti për paga retroaktive nga 1 janari, e jo siç thotë udhëzimin administrativ nga 1 tetori.