Vetëplagoset aksidentalisht një gjuetar në Prizren

Në orët e pasdites, policia në Prizren ka pranuar një informatë e cila bënte me dije se një qytetar ishte sjell për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal për shkak të plagës së shkaktuar nga arma e zjarrit.




Hazir Berisha, nga zyra për informim e Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit, ka thënë se hetuesit policorë, pasi kanë shkuar në spital, janë informuar nga mjekët për lëndimin dhe për gjendjen shëndetësore të personit të plagosur i cili në ato momente ndodhej në sallën operative.

«Një dëshmitar i rastit e ka njoftuar policinë për rrethanat e rastit. Sipas tij, i dyshuari me disa të tjerë kanë dalë për gjah në malet e Kabashit dhe në rrethana ende të pasqaruara është vetplagosur në bark me pushkë gjahu», ka thënë Berisha, raporton Koha.net.

Policia ka kryer hetime dhe e ka sekuestruar një pushkë gjahu italiane me katër gëzhoja.

Është informuar prokurori i shtetit i cili ka sugjeruar që rasti të trajtohet si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe të procedohet me procedurë të rregullt.