Vetëm det

Arian Leka.



vetëm det është vetëm det
çdo gjë që ka gojë dhe nuk flet
është det
çdo gjë që ulet e ngrihet bie dhe fshihet
është det
çdo gjë që hesht e këlthet
është prapë det.

det është det
çdo gjë e lehtë
që mbi det notoi
dhe ajo që mbytet në jetë
pavarësisht se çka qenë
dikur
do jetë det
prapë det.

det – atdhe i lëngët që s’rri mirë në hartë.