Veselin Gjuranoviq: Ne malazezët jemi mbushur mend, nuk do të jemi kurrë më shërbëtorë të Rusisë

Antifashisti i njohur malazez dhe funksionari i lartë i Malit të Zi në epokën e Jugosllavisë, Veselin Gjuranoviq, thotë se çetnikët janë të fuqishëm kudo ndër serbë dhe po synojnë t’i bëjnë bashkë Malin e Zi, Serbinë dhe Republikën e serbëve të Bosnjës. Gjuranoviq, një kundërshtar i vendosur i politikave destabilizuese të Rusisë, thotë se sulmet e NATO-s kundër Serbisë dhe Malit të Zi më 1999 kanë qenë të drejta. «Po të mos ishte NATO sot në Kosovë nuk do të jetonte asnjë shqiptar».

Partizanë malazezë gjatë Luftës së Dytë Botërore.



Një sqarim për lexuesit që mund të mos e njohin aq mirë historinë e Jugosllavisë socialiste: në atë shtet kishte dy funksionarë me të njëjtin emër e mbiemër – Veselin Gjuranoviq. Të dy ishin malazezë, të dy me origjinë nga Danilovgradi. Njëri Gjuranoviq ka qenë kryeministër i Jugosllavisë, tjetri ishte funksionar i nivelit të lartë në Republikën e Malit të Zi. I pari ka vdekur më 1997, ndërsa Veselin Gjuranoviqi i dytë jeton ende, ka shkelur moshën 90-vjeçare, por vazhdon të jetë aktiv në mbrojtjen e Malit të Zi nga hegjemonia serbe, ndikimi rus, përpjekjet e çetnikëve për të rehabilituar bashkëpunëtorët e nazizmit.

Gjuranoviq është një antifashist i shquar malazez, i nderuar me gati të gjitha dekoratat jugosllave për trimëri në luftën partizane kundër nazistëve dhe çetnikëve. Pas Luftës së Dytë Botërore ai ka qenë oficer i lartë në organet e sigurisë dhe ministër në Këshillin Ekzekutiv (qeverinë) e Malit të Zi. Në një intervistë dhënë revistës boshnjake «Dani» Gjuranoviq ka folur për tendencat ruse dhe serbe për të dobësuar Malin e Zi dhe për të penguar anëtarësimin e këtij vendi në NATO. Gjuranoviq tha se çetnikët po përpiqen me ndihmën e Rusisë të bashkojnë Malin e Zi, Serbinë dhe Republikën e serbëve të Bosnjës, por «edhe kësaj radhe nuk do të kenë sukses. Popujt e Ballkanit vërtet janë budallenj, por jo aq…».

Gjuranoviq ka lavdëruar politikat e liderit shumëvjeçar të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. «Më duhet të them se Mali i Zi ka fat që më 2016 e ka në krye të shtetit Milo Gjukanoviqin, i cili rusëve u tha – jo! Në fillim të viteve ’90, kur Gjukanoviqi luante vallen e njëjtë me Slobodan Millosheviqin, hapur kam qenë kundër tij; sapo doli nga kjo valle, e kam përkrahur. Sepse ta ruash një vend të vogël dhe një popull luftarak nga lufta, t’ia kthesh shtetësinë me laps, ta futësh në NATO – po kjo është çudë e paparë. Çfarë ka bërë populli malazez më 16 tetor është përgjigje historike e atij nivelit si përgjigja e Titos më 1948». Më 16 tetor në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat sërish i fitoi partia e Milo Gjukanoviqit. Më 1948 Josip Broz Tito u shkëput nga Bashkimi Sovjetik i Stalinit.

Gjuranoviq ka treguar në intervistën dhënë revistës «Dani» se kishte mjaft udhëheqës malazezë, të cilët më 1948 ia mbajtën anën Stalinit, disa prej tyre madje dolën në mal për të luftuar kundër Partisë së atëhershme komuniste jugosllave, ndërsa disa të tjerë ikën në Shqipëri, ku regjimi i Enver Hoxhës ishte besnik ndaj Stalinit. «Malazezët e kanë shikuar Rusinë si zotin, ndonëse rusët neve, më falni për shprehjen, bukur na kanë shkërdhyer, duke na mbajtur si fis të tyre luftarak, me ndihmën e të cilit do të bënin çfarë të donin në Ballkan. Raport të njëjtë kanë pasur edhe me serbët, por serbët, për dallim nga ne malazezët, ende nuk janë mbushur me mend. Këtë që ka bërë tani Mali i Zi është me rëndësi sepse konfirmon se edhe te ne disa gjëra kanë ndryshuar. Kurrë më! No pasaran!»

Gjuranoviq deklaroi se shumica në Serbi përherë ka qenë çetnike dhe Tito e ka pranuar 7 korrikun si ditë të kryengritjes në Serbi kundër nazizimit, ndonëse «kushedi a ka qenë vrasja e dy xhandarëve në Bela Crkva vërtet ashtu siç na është prezantuar». Sipas Gjuranoviq «çetnikët edhe sot janë më të fuqishëm. Kush dëshiron t’i bashkojë Malin e Zi, Serbinë dhe Republikën e serbëve të Bosnjës me ndihmën e Rusisë së Vladimir Putinit? Vojvodët çetnikë të cilët do të donin të na bënin krahinë ruse».

Gjuranoviq lavdëroi kryeministrin e deritanishëm malazez Milo Gjukanoviq për kundërshtimin e tendencave për të rehabilituar figurat çetnike në Mal të Zi. Si shembull ai përmendi hedhjen në ajër me dinamit të themelit të përmendores së kasapit çetnik Pavle Gjurishiq.

Veselin Gjuranoviq angazhohet prej vitesh për integrimin e Malit të Zi në BE dhe në NATO. Në një tribunë me qytetarë të mbajtur para disa vitesh Gjuranoviq e kishte quajtur të drejtë intervenimin e NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë, e cila përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi. Dikush, sipas tij, duhej t’i dilte përpara Slobodan Millosheviqit. «Po të mos ishte NATO sot në Kosovë nuk do të jetonte asnjë shqiptar».