Veseli u frikësua të jetë kryetar Kuvendi, thotë Ymeri

«Kadri Veseli u frikësua të jetë kryetar i Kuvendit», ka thënë kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, duke iu referuar seancës së fundit të Kuvendit, kur Veseli ia dorëzoi udhëheqjen e seancës nënkryetarit Xhavit Halitit.




Ymeri, ka thënë se kryetari i Kuvendit, Veseli, një veprim të tillë e ka bërë pasi që është i interesuar të inskenojë konflikte mes deputetëve, raporton KTV.

Në një konferencë për media, Ymeri bashkë me deputetin Besnik Bislimi, ka folur për dëmet ekonomike që do t’i shkaktojë Asociacioni i Komunave të Serbisë dhe Demarkacioni me Malin e Zi.

Për këtë të fundit, Bislimi ka thënë se në komisionin për demarkacion, nuk ka qenë asnjë anëtar që e ka për profesion këtë çështje, derisa i ka preferuar kryeministrit Mustafa, që të kërkoj një ekspertizë të tretë për këtë çështje.

Kryetar i Vetëvendosjes, Ymeri, nuk ka saktësuar se çfarë hapash do të ndërmarrin në seancën e ardhshme, e caktuar për të enjten, por ka thënë se veprimet janë të koordinuara edhe me dy partitë e tjera opozitare.