Veseli s’po e përdorë sigurimin e Kuvendit, siç bënte Krasniqi

Bllokada e krijuar në Kuvend ende nuk e ka bindur kryetarin Kadri Veseli që të fusë në punë një mekanizëm që ia mundëson rregullorja, përdorimin e sigurimit, raporton KTV.




Veseli është deklaruar vazhdimisht se nuk e ka në plan të largojë askënd nga salla e Kuvendit përmes thirrjes së sigurimit.

Megjithatë, sigurimi i Kuvendit ishte përdorur nga ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, më 26 qershor të 2013-s, kur Vetëvendosje e kishte bllokuar mbajtjen e seancës.

Me gjithë gjendjen e krijuar, këto skena nuk pritet të përsëriten. Për menaxhim të dobët dhe mosrespektim të rregullores së Kuvendit, po akuzohet vetë kryetari i Kuvendit Kadri Veseli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Menaxhimi i seancave në këtë formë, sipas analistit, Imer Mushkolaj, po i konvenon më së shumti Kadri Veselit, përcjell koha.net. Veseli është kritikuar vazhdimisht edhe nga partneri i tij i koalicionit LDK-ja.