Veseli: Pengimi i lirisë së fjalës në demokraci parlamentare është i papranueshëm

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një njoftimi dërguar mediave, ka sqaruar situatën që ka mbretëruar sot në seancë.




Në njoftim thuhet se në mbledhjen e fundit të kryesisë së Kuvendit të Kosovës u vendos që sot me datë 22.09.2015 të kemi seancë parlamentare, me një pikë të vetme të rendit të ditës : «Raportimin e Kryeministrit të Kosovës, z.Isa Mustafa mbi marrëveshjet e 25 gushtit të arritura në Bruksel».

«Qysh në fillim të seancës, partitë opozitare ndërhynë duke penguar raportimin e kryeministrit dhe pamundësimin e vazhdimit të seancës përmes veprimeve të drejtpërdrejta fizike. Sulmi me vezë ndaj Kryeministrit Mustafa ishte veprim jodinjitoz», thuhet në reagimin e Veselit.

Ai thotë se Qeveria, ashtu sikurse edhe deputetët, kanë të drejtën e pacenueshme për t’i shprehur pikëpamjet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

«Pengimi i lirisë së fjalës në demokracinë tonë të re parlamentare është i papranueshëm. Komunikimi, debati dhe respektimi i njeri tjetrit janë vlerat që na duhen dhe të cilat i presin qytetarët nga ne», thotë më tej Veseli.

Ndërkaq, në fund, kreu i Kuvendit të Kosovës, tha se «si kryetar i Kuvendit të Kosovës do të angazhohem maksimalisht për funksionimin demokratik të Kuvendit të Kosovës, sepse vetëm kështu i përmbushim obligimet ndaj qytetarëve të cilët na kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar».