Veseli: Një fëmijëri e mohuar do të thotë një e ardhme e pasigurt

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e 1 Qershorit, Ditës së fëmijëve, mori pjesë ne seancën e veçantë të Kuvendit me nxënës nga shkollat e ndryshme të vendit.




Duke ju drejtuar nxënësve kryetari Veseli tha se 1 qershori është ditë e gëzimit të tuaj, por edhe ditë e llogaridhënies sonë si prind, edukatorë, si institucione se çfarë jemi duke bërë për mirëqenien tuaj, edukimin tuaj, lumturinë tuaj.

«Niveli i zhvillimit të një shoqërie tregohet më se miri me faktin se sa respektohen të drejtat e fëmijëve të saj, dëshirat dhe ëndrrat e tyre», tha Veseli.

Deri me tani Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë dy ligje që në mënyra të ndryshme prekin edhe të drejtat e fëmijëve: ligjin për familjen dhe ligjin për shërbime sociale dhe familjare.

«Por kjo nuk mjafton», potencoi Veseli, për të shtuar se «ky ligj është në procedurë, por është i domosdoshëm garantimi i fondeve që mundësojnë zbatimin e plotë të këtij ligji».

«Ne i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë këtë. Ju jap fjalën se do ta bëjmë. Do të ngrisim një komision për monitorimin e vazhdueshëm të zbatimit të këtij ligji, dhe nevojat që dalin për përmirësimin apo plotësimin e tij», theksoi ai.

Më tutje Veseli tha se fëmijët tanë kanë të drejtë ta jetojnë fëmijërinë e tyre larg dhunës e abuzimit, larg frikës, larg përfshirjes në punët e rënda për mbajtjen e familjes, larg mohimit të ëndrrave të tyre fëmijërore.

«Një fëmijëri e mohuar do të thotë një e ardhme e pasigurt për individin, familjen dhe vet shoqërinë. Prandaj investimi në të drejtat e fëmijëve është një nga investimet më kapitale që një shoqëri mund të bëjë për të ardhmen e saj. Secili prind, mbi të gjitha, dëshiron t’i shoh fëmijët e tij të ushqyer mirë, të veshur mirë, të edukuar mirë dhe me shërbime shëndetësore cilësore. Ne si institucione kemi për obligim që t’u mundësojmë fëmijëve të Kosovës të krenohen me prindërit e tyre dhe atdheun e tyre. Gëzimi në fytyrat e fëmijëve është treguesi më i mirë për një shoqëri të lirë, demokratike e të zhvilluar», ka thënë në fund Veseli.