Veseli ngushëllon homologun e tij amerikan, Paul D. Ryan

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ngushëlluar kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Paul D. Ryan, dhe nëpërmjet tij gjithë popullin amerikan, pas sulmit vdekjeprurës në Florida, për pasojë të të cilit humbën jetën dhjetëra persona dhe u plagosën shumë të tjerë, njofton kumtesa nga Kuvendi, transmeton Koha.net.

«Me rastin e aktit terrorist që ndodhi dje në Orlando, SHBA, në emër të Popullit dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Në këto çaste të rënda për popullin dhe institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju siguroj që Kosova dhe qytetarët e saj bashkëndjejnë me dhimbjen e tyre, të këtij populli mik dhe përkrahësi të madh të shtetit tonë. Ne do të jemi përkrah jush në luftën e përbashkët kundër së keqes».