Veseli do nga shoqëria civile e mediat ide për daljen nga bllokada

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e zhvendosi debatin vetëm pak metra larg ndërtesës së Kuvendit, në një nga hotelet e kryeqytetit.




Ai nga shoqëria civile dhe mediat kërkoi ndihmë se si të dilet nga bllokada, të cilën opozita po ia bën Kuvendit tash e tri herë radhazi.

Shumë analistë e përfaqësues mediesh analizuan situatën se çfarë ka ndodhur deri tash, por krejt pak panelistë dhanë idetë e tyre se si mund të dilet nga kjo situatë.

Në përpjekje për të dalë nga kriza institucionale, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, ka mbledhur shoqërinë civile e përfaqësues të medieve, për t’u konsultuar me ta. Por më së paku zgjidhje u paraqiten në këtë tryezë. Aty u përmend domosdoshmëria e ndërhyrjes së presidentes, Atifete Jahjaga, zgjedhjet si zgjidhje e mundshme dhe mundësia e krijimit të një qeverie teknike gjithëpërfshirëse, raporton KTV.
U përmend ndërhyrja e presidentes, zgjedhjet dhe një qeveri e mundshme teknike.

Kadri Veselin në shumë raste e ngritën në piedestal për mënyrën e sjelljes së tij në këto seanca tensionuese, e më pak e kritikuan si të pafuqishëm karshi opozitës.

Edhe përfaqësuesi i OSBE-së në këtë takim ka thënë se zgjidhja duhet të jetë politike nga mënyrat dhe mjetet që politikanët kanë. Ai tha se rregullorja e punës është platforma, në bazë të se cilës marrëveshjet, vendimet dhe mirëkuptimet mund dhe duhet të gjinden.