Veseli dhe akademikët: Ta ruajmë me mençuri atë që e kemi arritur deri më tani

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti të mërkurën në takim një delegacion të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).




Në takim u bisedua fillimisht për projektligjin për Akademinë, i cili pritet që së shpejti të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës, transmeton Koha.net.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që ligji duhet të jetë një stimul i ri për zhvillimin e Akademisë së Shkencave të Kosovës, duke ndihmuar zgjerimin dhe rritjen e kapaciteteve të saj kadrovike dhe hulumtuese.

Veseli më tutje theksoi se «ndihet i nderuar me vizitën e akademikëve tanë në zyrën e tij», duke shtuar se «akademikët janë zëri i arsyes dhe dijes në shërbim të vlerave njerëzore e kombëtare dhe sot vendi ynë, në veçanti politika, ka nevojë më shumë se kurrë për zërin e arsyes dhe tejkalim të situatave të brishta me mençuri».

Akademikët nga ana e tyre theksuan se «vlerat politike dhe institucionale të arritura deri me tani, me aq mund e përpjekje të përbashkëta të popullit tonë, duhen ruajtur, në mënyrë që vendi të ecë përpara në rrugën e zhvillimit ekonomik, konsolidimit të shtetit dhe integrimeve evro-atlantike».