Versioni verior

Taxh Mahali, Agra, Indi. Foto: Shutterstock



N 2 = WS 4

Kur e shoh sërish para vetes –
fytyra e saj e përsosur si hëna,
pasuri e rinisë së saj,
gjoksi i harlisur, magjia shndritëse e dashurisë –
si torturohet nga zjarri i shigjetës së dashurisë,
menjëherë i sjell
freski shëruese.

N 3 – WS6

Sikur ta takoja sot sërish,
atë symadhen,
të lodhurën nga barra e gjinjve të saj të harlisur,
do ta shtrëngoja në krahët e mi,
gojën do t’ia gllabëroja
si i çmendur.
Do isha kafshë e egër.

N 4

Edhe sot
ajo më kujtohet në aktin e dashurisë.
E lodhur rëndë
nga rraskapitja,
me flokë të shpupurishura
që i binin mbi faqet e zbehta.
Thua se mes nesh duhej
fshehur diçka sekrete, të keqe,
ajo lidhi duart butësisht
rreth qafës sime.

N 6

Kur e shoh sërish para vetes,
me sy të mëdhenj,
me trup të njomë,
i cili flakëron nga vetmia,
e përqafoj.
Nuk hap sytë më
dhe s’e lëshoj dot.

N 10

Edhe sot,
kur gjithçka ka marrë fund,
më kujtohet fytyra e më të dashurës sime:
e çelur si flori nga pudra e shafranit,
duke vezulluar nga djersa,
në dalldinë e pasionit pa shprehje në fytyrë.
Ishte si hëna e ndritur,
çliruar prej prangave të demonit të zi.

N 13

Edhe sot
më kujtohet:
më shikonte me shumë dashuri,
shtrihej me ëndje,
fustani që kishte rrëshqitur
zbuloi pakëz gjirin e saj të ëmbël
dhe buzët e saj i stoliste
gjaku i puthjes sime.

N 22

Edhe sot e kujtoj,
kujtoj sytë e saj
në dalldi pas qerpikëve të mbyllur,
trupin e harlisur,
petkun që i kishte rrëshqitur nga trupi, flokët –
ajo ishte një mjellmë mbretëreshë në pyllin e lotusit,
ishte dashuria vetë.
Do ta kujtoj në një jetë tjetër
dhe në fund të krejt ekzistencës.

N 24

Edhe sot është e qartë:
ajo ishte masë për bukurinë femërore.
Ajo ishte e përsosur.
Mishërimi më i lartë
i magjisë në ngjarjen e dashurisë,
por edhe viktimë e zotit edhe ajo.

N 26

Ende më kujtohet se si ajo,
në mesin e më të bukurave
kryekupa e epshit,
se si ajo, princesha, tha:
«Këtë zjarr të ndarjes,
njerëz, nuk mund ta duroj!»

N 27

Edhe sot një forcë më tërheq –
ç’të bëj? –
drejt saj, të mrekullueshmes.
Perënditë i lë të jenë perëndi.
E di: këtu ende
është ora vdekjes, por prapë – vetëm këtë po them:
«Ti, më e bukura, më e ëmbla, e imja je, e imja!»

Përktheu: Enver Robelli