«Vera me vrima» – ose: kur përkthimi e mbyt fjalinë

Si shndërrohet vera e varfër me lajme në «verë me vrima» dhe përse plazhi Rana e Hedhun shndërrohet në Rëra e Hedhur? Duhet mbrojtur gjuhën shqipe, sepse nuk kemi tjetër gjuhë amtare.

Foto: Shutterstock



Plot e përplot media digjitale në viset shqiptare po e shpërndajnë këtë fjali: «Në Serbi këtë vit ka verë me <vrima>. Arsye për këtë ka dhënë presidenti Aleksandar Vuçiq i cili në mes të korrikut kërkoi dialog për Kosovën». Fjalia është «përkthyer» nga një artikull i gazetës gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung», ku raportohet mbi nismën më të re të Vuçiqit për të hapur debat mbi çështjen e Kosovës.

Lexuesi shqiptar me të drejtë pyet: çka është «vera me vrima»? Fjalia e parë e artikullit në gjermanisht tingëllon kështu: «In Serbien fällt das Sommerloch heuer aus». «Sommer» domethënë verë, «Loch» vrimë. Verë me vrima në Serbi? Fjala «Sommerloch» nga mediat gjermane përdoret për të ilustruar stinën e verës, e cila është e varfër me lajme për shkak se shumë njerëz shkojnë në pushime dhe interesimi për politikën bie. Madje edhe kancelarja gjermane Angela Merkel po pushon në Tirolin Jugor. Rrjedhimisht, Gjermania gjendet në një «Sommerloch», në një fazë me pak lajme. Redaktorët që janë përgjegjës për prodhimin e gazetave gjatë verës e njohin mirë këtë fenomen.

Me fjalinë «In Serbien fällt das Sommerloch heuer aus» autori i tekstit në «Frankfurter Allgemeine Zeitung» thotë se Serbia nuk e ka problemin e mungesës së lajmeve gjatë verës, Serbia nuk ballafaqohet me një «Sommerloch» – ose përkthyer në shqip: sivjet vera në Serbi nuk është e varfër me lajme. Përse? Sepse Vuçiqi ka shkruar një tekst, në të cilin mes rreshtave thotë se për Serbinë pjesa më e madhe e Kosovës është e humbur, por së paku Beogradi duhet të ruajë atë që zotëron, domethënë veriun e Republikës së Kosovës, e cila për Serbinë nuk është Republikë, por krahinë autonome e banuar nga shumica e pakicës etnike shqiptare në Republikën e Serbisë.

«Vera me vrima» në Serbi në të vërtetë është verë me lajme, por duhet njohur pak edhe frazeologjia gjermane para së përkthyesi t’i rreket shqipërimit. Botimi i fjalive të pakuptimta si «Në Serbi këtë vit ka verë me <vrima>» tregon për një defekt të madh në redaksitë e shumicës së mediave (sidomos digjitale): mungesën e redaktorëve, lektorëve dhe profesionistëve të tjerë, të cilët kujdesen që së pari të mos deformohet gjuha shqipe dhe së dyti: lexuesi të trajtohet me respekt. «Në Serbi këtë vit ka verë me <vrima>» është, në fund të fundit, fjali fyese edhe ndaj lexuesit. Vrima e verës a mos është vrima e ozonit, mund të pyes ndokush.

Kur jemi te sakatimi i gjuhës, qe një shembull tjetër: ka turistë nga Kosova që pasi kalojnë disa ditë te plazhi Rana e Hedhun në Shqipërinë veriore vendosin t’i tregojnë opinionit, përmes mediave sociale, se aktualisht gjenden te plazhi Rëra e Hedhur. Me siguri njerëzit vendosin ta toskërishtojnë toponimin Rana e Hedhun me shpresën se kështu do të prezantohen si njohës së gjuhës së standardizuar në vitin 1972.

Ndonëse fjala ranë nuk ka gjetur vend në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, megjithatë hartuesit nuk kanë mundur ta fshijnë fjalën ranishtë, e cila shpjegohet kështu: «1. Brez a rrip toke anës detit, liqenit a lumit i mbuluar me rërë; sipërfaqe toke e mbuluar me rërë. Ranishtat bregdetare. Ranishtë deti (liqeni, lumi). Ranishta e Durrësit. Shtrihem në ranishtë. 2. Tokë që përmban shumë rërë. Tokë ranishtë. Punojnë edhe ranishtat. 3. Vend ku nxirret rërë për nevojat e ndërtimit. Hapën një ranishtë».

Andaj hidhuni në det, përzhituni te Rana e Hedhun, por ruajeni pak respektin për gjuhën shqipe, sepse gjuhë tjetër amtare nuk kemi. Këtë duhet ta kemi parasysh edhe në këtë «verë me vrima».