«Vendlindja e parë është familja, e dyta – shoqëria»

Vazhdon fushata e prezantimit të kandidatëve për zgjedhjet e 18 tetorit të këtij viti në Zvicër. Në garë janë edhe kandidatë me prejardhje shqiptare.

Paneli - i vëmendshëm ndaj paraqitjes së pjesëmarrësve në takim



Biel/Bienne, 23 shtator 2015

Nikoqiri i takimit të radhës me elektoratin shqiptar të socialdemokratëve ishte Bieli. Në restoranin e një shqiptari – Sonne – ishin tubuar një grup emigrantësh për t’u njohur me kandidatët për deputetë dhe vizionin e tyre për komunitetin. Temat e takimit, përveç participimit politik, ishin edhe bashkëjetesa në Zvicër dhe Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore me Kosovën.

Paneli përbëhej nga Corrado Pardini, deputet nacional SP; Christine Häsler, kandidate për deputete nacionale e të gjelbërtve; Daniela Musyoka-Hess, kandidate për deputete nacionale SP, sikurse edhe Jarno Bigler. Pjesë e diskutantëve ishte edhe kandidati i Partisë Socialdemokrate për deputet nacional me origjinë shqiptare Bashkim Rexhepi.

Prejardhja kombëtare nuk është kryesorja në betejën politike të socialdemokratëve – nënvizoi Pardini. Ndonëse ai me shumë kënaqësi do të kishte sa më shumë kombësi që të mundej. Sipas tij, në krahërorin e secilit duhet të rrahin dy zemra – njëra për vendlindjen, tjetra për Zvicrën. Sepse ka gjithë ato gjëra për të cilat angazhohet Partia Social Demokrate në Zvicër. Dhe njëra prej tyre është arritja e një marrëveshjeje të re për sigurimet shoqërore me Kosovën. Këtu deputeti nuk ka deilema: Shteti i ri duhet ta kryejë hisen e vet të punës.

Njëlloj e sensibilizuar me çështjen e shqiptarëve është edhe Häsler. Ajo i ka njohur shqiptarët si në Zvicër, ashtu edhe në vendlindjen e tyre. Deputetja nuk e fsheh respektin për përpjekjet e tyre dhe i inkurajon ata për më shumë angazhim politik. «Vendlindja e parë është familja, kurse vendlindja e dytë – shoqëria», postulon Musyoka-Hess». Bigler nga ana e tij nuk preferon të flasë për integrim, por për përfshirje. «Ne nuk dëshirojmë të bëhemi njëlloj, por t’i takojmë së njëjtës», e riformulon Häsler. Për Bashkim Rexhepin shqiptarët në Zvicër kanë avansuar goxha në disa dimenzione të integrimit, siç është – për shembull – sporti. Ata janë rrugës së integrimit në politikë, po një sfidë mbetet kultura.

Numri i të pranishmëve ishte relativisht i vogël. Por interesimi për diskutime – i madh. Kjo është edhe përvoja që ka mbledhur Osman Osmani, njëri ndër organizatorët e takimit: «Sa më pak veta në debat, aq më i thellë është ai». Njëri ndër bartësit e takimit ishte «dialogplus». ks

Bashkim Rexhepi, kandidat për deputet nacional i SP-së Thun, elaboron vizionin e tij për intergrimin e shqiptarëve në ZVicër
Bashkim Rexhepi, kandidat për deputet nacional i SP-së Thun, elaboron vizionin e tij për intergrimin e shqiptarëve në Zvicër