Vendet më të rrezikshme të botës

Një hartë e re dhe një raport i ri ju tregon se cilat janë vendet më të rrezikshme dhe më të sigurta në botë.

New York. Foto: Tooykrub / Shutterstock.com

Cilat rreziqe ziejnë në cilin vend? Ku mund të udhëtohet fare? Një firmë sigurie, «International SOS and Control Risks», ka publikuar një hartë interaktive të botës, e cila e tregon gjendjen e sigurisë në destinacione të veçanta. Faktorë vendimtarë për të kanë qenë vjedhja, grabitjet, vrasjet dhe sulmet terroriste.

Firma i ka ndarë vendet në katër kategori rrezikshmërie, nga «e parëndësishme» me të gjelbërt, deri në «ekstreme» me të kuqe. Sipas saj, duhen shmangur sidomos udhëtimet për në Siri, Afganstan, Irak, Jemen, Libi, Sudanin Jugor, Mali, Republikën e Afrikës Qendrore sikurse në pjesë të Pakistanit, Somali dhe Ukrainë.

Në anën tjetër, si vende të sigurta vlejnë Evropa e Mesme dhe Veriore. Shkëlqyeshëm, përveç Zvicrës dhe Luksemburgut, kanë dalë edhe Norvegjia, Suedia, Finlanda, Islanda dhe Danimarka. Ka edhe një vend të Evropës juglindore, i cili është futur në grupin e këtyre shteteve të sigurta: Sllovenia.

Në Amerikën latine duhet pasur kujdes sidomos në Vnezuelë, Honduras, El Salvador dhe vise të Meksikës. Kolumbia vazhdon të ngelet një vatër krize, pavarësisht përparimeve. Sikurse edhe në kufirin e Panamasë dhe Ekuadorit. Një rrezik më të vogël ngërthejnë vendet si Kosta Rika, Praguai, Uruguai, Guinea Franceze, Argjentina dhe Surinami.

Në Afrikë, pa merak mund të udhëtohet në Botsuana, Zambi, Malavi, Namibi sikurse edhe në disa vise të Marokos dhe në Senegal. Keq duket puna në pjesë të Egjiptit. Këtu bëjnë përjashtim viset e pushimeve verore në Mesdhe, ku rreziku është mesatar, transmeton «20 Minuten».

Ndërmarrja britanike e studimit të tregut, «Ipsos Mori», ka botuar edhe një anketë me vendimmarrës ndërmarrjesh që veprojnë ndërkombëtarisht. Dhe, sipas 72 për qind të pjesëmarrësve, rrezikshmëria e përgjithshme është rritur, 80 për qind në këtë vit është dashur t’i ndërrojnë planet e tyre për shkak të problemeve medicinale apo të sigurisë. Në këtë kontekst një shqetësim paraqesin sulmet terroriste, trazirat sociale, shërbimet e pamjaftueshe shëndetësore dhe siguria rrugore. ks