Vendet më të preferuara të zviceranëve për pushime




Rreth 75 për qind e zviceranëve pushimet i kalojnë në vend. Vendet më të pëlqyera janë ato malore dhe jugu.

 

Kur vendosin t’i bëjnë pushimet në vend, zviceranët i tërheqin kodrat. Gjermanofolësit janë simpatizues të Malësisë së Bündner-it, kurse frankofonët – të Wallis-it. Kështu del nga një studim i institutit hulumtues GFS në Cyrih. Sipas 1’005 të intervistuarve për studimin lidhur me pushimet, favoritët e zviceraneve dhe zviceranëve për pushimet dimrore janë: me 23 për qind Graubünden-i, me 19 për qind Wallis-i dhe me 10 për qind për vise në kantonin e Bernës. Preferencat për pushimet e verës janë këto: 19 për qind e zviceranëve janë për Tessin-in, 16 për qind për Graubünden-in dhe 12 për qind për Wallis-in.

Vendimtare për vendin e pushimeve, sipas studimit, është prejardhja e turistëve. Banorët e Zvicrës franceze – si për dimër, ashtu edhe për verë – e preferojnë Wallis-in si vend pushimesh me 42, përkatësisht 27 për qind. Zvicrën gjermane dimrit e tërheq Bündnerland-i me 29 për qind, kurse verës Tessin-i me 20 për qind. Preferencat megjithatë ndryshojnë paksa varësisht nga mosha. Tek të rinjtë verës dominon absolutisht dëshira për Tessin-in. Këta rrallë shkojnë në Wallis, e cili dëshirohet më shumë nga mbi 40-vjeçarët.

Në total, rreth 70 për qind e të intervistuarve nganjëherë pushimet e tyre të dimrit i kalojnë në Zvicër. Kjo shifër për pushimet e verës shkon në 80 për qind. Hulumtimi është zhvilluar ndërmjet 22 qershorit dhe 11 korrikut të 2015-tës. Me këtë rast janë intervistuar 1’005 persona në Zvicrën gjermane dhe franceze. ks

Foto: Stefano Ember/ Shutterstock