Vendet më të pasura pranojnë më pak refugjatë

SHBA-të, Kina, Japonia, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe janë vendet më të pasura në botë. Bashkërisht ato kanë pranuar vetëm 9 për qind të refugjatëve.

Foto: Zurijeta / Shutterstock.com

Me një fjalë, në gjashtë ekonomitë më të mëdha të botës jetojnë 9 për qind të refugjatëve. Kështu e citon «20 Minuten», organizatën ndërkombëtare për ndihmë dhe zhvillim Oxfam. Sipas saj, SHBA-të, Kina, Japonia, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe e përbëjnë gjysmën e ekonomisë botërore, por pothuajse nuk pranojnë refugjatë.

Nga 2,1 milionë refugjatët që jetojnë në këto gjashtë vende, mbi 30 për qind qëndrojnë në Gjermani. 1,4 milionë të tjerët janë të shpërndarë në pesë vendet e tjera të zhvilluara. Në Britamninë e Madhe, për shembull, jetojnë 170’000 refugjatë. CEO-ja i Oxfamit në Britaninë e Madhe kërkon nga vendi i tij të angazhohet më shumë për refugjatët. Ai është i keqardhur që në këtë kohë kjo përgjegjësi iu lihet vendeve dhe njerëzve të varfër.

Sipas UNHCR-it, momentalisht janë 65 milionë njerëz në arrati, 40 milionë brenda vendit të tyre. Kohëve të fundit numrin e refugjatëve e ka rritur fuqishëm konflikti i Sirisë. 2,5 milionë sirianë gjinden në Jordani, ndërsa 2,75 milionë në Turqi. 7 milionë refugjatë të tjerë jetojnë në Pakistan, Liban, në territorret palestineze dhe në Afrikën e Jugut. Dhe, gatishmëria e këtyre vendeve më të varfra për të pranuar refugjatë është më e madhe se ajo e vendeve të zhvilluara, edhe pse ato përbëjnë vetëm 2 për qind të fuqisë ekonomike globale.

Pavarësisht numrit të vogël të refugjatëve, politika amerikane po merret patjetër me to. Megjithatë, sipas UNHCR-it, ndihmën më të madhe financiare, me rreth 670 milinë dollarë, kjo organizatë e merr nga SHBA-të. Sponsori i dytë i madh, me mbi 250 milionë, është Unioni Europian, ndërsa vendin e tretë, me 150 milionë, e zë Japonia.

Nga këto donacione, sipas UNHCR-it, përfitojnë vendet e dobta ekonomikisht përreth vatrave të krizave, të cilat e kanë pranuar edhe numrin më të madh të refugjatëve. Ndërsa Turqia po merr nga UE-ja miliarda të tjerë në kuadër të marrëveshjes për refugjatët. Në shtator, me ftesë të presidentit amerikan Barack Obama do të mblidhen vendet e OKB-së në samitin e radhës për refugjatët në New York. ks