Vdiq shkrimtari i «Wallander», Henning Mankell

Shkrimtari suedez i librave kriminalistikë, Henning Mankell, më së shumti i njohur për serinë e tij «Wallander», ka vdekur në moshën 67-vjeçare.




Shkrimtari vitin e kaluar u diagnostikua se vuante nga kanceri dhe kishte shkruar për këtë eksperiencë në librin e tij të fundit, «Quicksand: What It Means To Be A Human Being», shkruan sot «Koha Ditore». Romanet e tij më të shitura, që rrëfejnë për policin Kurt Wallander, ishin përshtatur në dramë televizive, me aktorin Sir Kenneth Branagh në rolin kryesor.

Sir Kenneth e ka cilësuar atë «shkrimtar e njeri të mirë». Ai ishte aktori i tretë që kishte luajtur detektivin temperament. Në vendlindjen e Mankellit këtë rol e kishin portretizuar aktorët Rolf Lassgard dhe Krister Henriksson. BBC Four e kishte transmetuar versionin e fundit të këtij seriali në Britani të Madhe. Në Kosovë ky serial ishte transmetuar nga Kohavisioni.

«Në jetë dhe në art Henning Mankell ishte plot pasion. Do të më mungojë inteligjenca e tij provokuese dhe zemërgjerësia e tij. Përveç aktivizmit të tij politik dhe dekadave që kishte punuar në Afrikë, ai po ashtu lë një kontribut të pashlyeshëm në letërsinë skandinave», ka shkruar Kenneth në një deklaratë.

I lindur në shkurt të vitit 1948, Mankell kishte shkruar dhjetëra drama, romane, libra për fëmijë e skenarë. Por seria «Wallander» e bëri më së shumti të njohur.

Karriera dhe jeta e Mankellt ishin formësuar me ndikim nga divorci i prindërve të tij, kur ai ishte veç 2-vjeçar. Jetoi me babanë e tij që ishte gjykatës dhe mezi u takua me nënën kur ishte 15 vjeç. Në kohën kur familja e tij u shpërngul në një qytet në veri të Suedisë, Mankell si i ri u zhyt në letërsi duke lexuar vazhdimisht për Afrikën dhe kishte mësuar se imagjinata mund të përdoret si instrument për mbijetesë dhe jo vetëm për kreativitet.

«Në mendjen time e kisha krijuar një nënë tjetër për mua, për ta zëvendësuar atë që kishte ikur», kishte thënë ai njëherë. «Dhe mendoj se kjo ishte më e mira tek unë, kur forcat e imagjinatës e kishin të njëjtën vlerë sikurse bota reale». Në moshën 20-vjeçare, kur kishte shkuar në Stockholm, ai e kishte shkruar dramën e parë «The Amusement Park», që trajtonte interesat koloniale suedeze në Amerikën e Jugut të shekullit XIX. Pas saj pasoi romani debutues «The Stone-Blaster».

Personazhi Kurt Wallander për herë të parë u shfaq në «Faceless Killers» të vitit 1989, tek investigonte një vrasje për të cilën e vetmja gjë që dihej ishte se autorët e krimit kishin qenë të huaj. Kur kjo u plasua në publik, shkaktoi një seri sulmesh me motive racore, që në libër eksploroheshin nëpërmjet temave të racizmit dhe identitetit kombëtar në Suedi.

Jetën prej të rrituri Mankell e kishte kaluar në Suedi dhe Mozambik, ku ai udhëhiqte një kompani teatrore dhe ia dedikonte kohën e tij angazhimit për të luftuar AIDS-in. Ai ishte aktiv në projektin që inkurajonte prindërit me HIV të incizonin rrëfimet jo vetëm për fëmijët, por edhe për gjeneratat e ardhshme.