Vdes Adem Demaçi – Mandela i Kosovës

Aktivisti shumëvjeçar për të drejtat e shqiptarëve vdiq në moshën 82-vjeçare. Ai vuajti gati tri dekada në burgjet jugosllave dhe ishte një zë i dobishëm, i parehatshëm, kryengritës i çështjes së Kosovës.

Adem Demaçi.



Veprimtari i shquar i betejës gjysmëshekullore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Adem Demaçi, ka vdekur të enjten. Ai prej vitesh ishte tërhequr nga jeta publike. Parlamenti i Kosovës ndërpreu punimet pasi u bë publik lajmi. Deputetet dhe deputetët e vendit nderuan Demaçin me një minutë heshtje.

Adem Demaçi është quajtur simbol i rezistencës kombëtare të shqiptarëve të Kosovës dhe më gjerë. Në mediat ndërkombëtare ai është përshkruar si Mandela i Kosovës, pasi vuajti 28 vjet në burgjet e regjimit komunist jugosllav.

Adem Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Studioi letërsinë në Beograd dhe që nga vitet ’50 nisi të merrej me letërsi. Tekstet e para i botoi në revistën «Jeta e re». Në opinionin e gjerë u bë i njohur me romanin «Gjarpijt e gjakut», në të cilin trajtonte me kritikë të rreptë gjakmarrjen mes bashkëkombësve të tij.

Për herë të parë Demaçi u arrestua në vitin 1958 pasi kundërshtoi qeverinë qendrore të Beogradit, e cila shtypte shqiptarët e Kosovës. Pas arrestimit të parë mbajti 3 vjet burg, pastaj u mbajt në qelitë e Jugosllavisë mes viteve 1964-1974 dhe 1975-1990. U lirua nga burgu më 1990, në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Pas lirimit drejtoi Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ), 1991 deri në 1995. Kjo organizatë dokumentoi represionin e shtetit serb mbi shqiptarët. Një kohë Demaçi ishte edhe kryeredaktor i revistës «Zëri»; në mbrojtje të fjalës së lirë ai i parapriu një greve të urisë të gazetarëve shqiptarë, të cilët ishin dëbuar nga Pallati i Shtypit.

Në vitin 1991 ai u nderua me Çmimin Saharov të Parlamentit Europian për Lirinë e Mendimit. Pas tij këtë çmim e mori edhe Ibrahim Rugova. Kosova është vendi i vetëm që ka dy personalitete laureatë të këtij çmimi. Në vitin 1998 Demaçi njoftoi se i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si zëdhënës politik në Prishtinë. Shpejt u largua nga kjo pozitë për shkak të tensioneve mes një pjesë të komandantëve të UÇK-së, të cilët u bënë pjesë e procesit negociator. Debate të ashpra Demaçi zhvilloi edhe me ministren e Jashtme amerikane Madeleine Albright, e cila ishte përpjekur ta bindte që të ushtronte ndikim te prijësit e UÇK-së për të nënshkruar Marrëveshjen e negociuar në Rambouillet.

Demaçi nuk kundërshtonte bisedimet në parim, por ishte për një rezistencë të gjerë popullore kundër shtetit serb. Motoja e tij ishte: liria nuk fitohet me letra, por me gjak, siç i kishte thënë një gazete gjermane në fund të viteve ’90.

Pas luftës ai bëri jetën e një aktivisti politik jashtë kornizave të ngurta të politikës, iu rikthye letërsisë dhe kujdesit të shtuar ndaj shëndetit. Në vitin 2010 u dekorua si «Hero i Kosovës». Ndaj klasës politike të dalë nga lufta, e cila prej vitesh akuzohet për korrupsion, Demaçi mbajti qëndrim të distancuar, por jo aq kritik. (dp)