Vdekjen e Astrit Deharit do ta hetojnë specialistë nga Zvicra

Familja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, e ka angazhuar Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore nga Zvicra franceze për ta hetuar vdekjen e birit të saj. Lajmin e ka njoftuar vetë familja Dehari në një konferencë për mediat, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Astrit Dehari.



Siç dihet, më 9 nëntor të vitit 2016, në burgun e Prizrenit ka humbur jetën aktivisti i Vetëdendosjes Astrit Dehari. Raporti i autopsisë së tij thotë: «Dehari ka bërë vetëvrasje dhe vdekja e tij është shkaktuar nga pengesat në organet e frymëmarrjes». Këtë raport e kanë kontestuar në vazhdimsi, si familja Dehari, ashtu edhe Vetëvendosja.

Tani vjen lajmi nga babai i të ndejrit, Avni Dehari: «Kemi kontaktuar me zyrtarë të disa Qendrave Universitare të MjekësisëLigjore në Bern, Cyrih dhe Gjenevë. Dhe në fund jemi përcaktuar që t’i angazhojmë ekspertët dhe hetuesit ndërkombëtar të Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore të pjesës franceze në Zvicër».

Ky hap vjen pas një rezolute të Kuvendit të Kosovës në dhjetorin e 2016-tës, e cila zotohet se «rasti i vdekjes së Astrit Deharit duhet të zbardhet në mënyrë të drejtë dhe transparente» dhe se «nëse familja kërkon hetim të vdekjes së Astrit Deharit jashtë vendit, atëherë Qeveria e Kosovës duhet t’ia mundësojë këtë duke hequr edhe shpenzimet».

Rihetimi i rastit ka të bëjë me dyshimet, të cilat janë transmetuar edhe nga avokati i familjes, Tomë Gashi, se Astrit Dehari nuk është vetëvrarë, por është vrarë. Ai është shprehur për angazhimin e specialistëve nga Unioni Evropian, të cilët nuk do të mund të ndikohen nga nstitucionet e Kosovës.

 «Ata kanë pranuar që të angazhojnë ekspertë më të mirë të këtij instituti dhe që ata do të merren më hetim të pavarur që nënkupton edhe ekspertiza përkatëse që ata i kërkojnë», citohet ai. «Dhe do të jenë të pandikuara nga Qeveria, të pandikuara nga Prokuroria Themelore në Prizrenit, të pandikuara nga Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren dhe të pandikuara nga askush», vazhdon ai.

Xhemile Dehari, nëna e Astritit, është shprehur se do ta pranojë çfarë do rezultati që të nxjerrë kjo Qendër Universitare: «Juridikisht do ta pranojmë rezultatin, shpirtërisht kuptohet se jo». I biri i saj 26-vjeçar ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016. Ai ishte ndaluar dhe burgosur për dyshime lidhur me sulmin kundër Parlamentit të Kosovës.