Vazhdojnë përgatitjet për mbajtjen e Provimit të Maturës Shtetërore

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami mori pjesë në takimin e përbashkët informues për çështjen e administrimit të Provimit të Maturës Shtetërore 2016 në afatin e qershorit, ku morën pjesë drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit dhe drejtorët e shkollave të mesme të larta, njofton kumtesa nga MASHT, transmeton Koha.net.




Në këtë takim u bisedua për përgatitjet që janë bërë për mbarëvajtjen e Provimit të Maturës Shtetërore, për sfidat dhe pritjet e këtij procesi të rëndësishëm të vlerësimit të nxënësve në nivel kombëtarë në arsimin parauniversitar. Bajrami, me këtë rast i ka ftuar të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces që të jenë në nivel të përgjegjësisë profesionale dhe të angazhohen plotësisht për implementimin e suksesshëm të Testit të Maturës 2016.

«Matura Shtetërore është vlerësim i pjekurisë në sistemin arsimor, i cili tregon gjendjen reale në arsim. Ne jemi të përcaktuar që ky vlerësim të bëhet me standarde, kredibilitet dhe të mundësojë një pasqyrë reale të transicionit normal të nxënësve nga arsimi parauniversitar te arsimi i lartë, », theksoi Bajrami.

Ndërsa, kryetari i KQShM-së, z. Azem Guri ka folur për ndryshimet që janë bërë këtë vit sa i përket organizimit të Provimit të Maturës Shtetëror 2016. «Administri do të jetë i njëjtë me vitin e kaluar, në klasa do të ketë deri në 18 nxënës, në çdo të 5- tën klasë do të ketë 1 administrues, në çdo objekt shkollor do të ketë deri në 2 Qendra të Testimit që nënkupton, që njëra qendër do të ketë prej 150- 180 maturantë. Këtë vit, në cilësi të monitoruesve në çdo komunë do të jenë të pranishëm zyrtarët e MAShT»

Provimit të Maturës Shtetërore 2016 do t’ i nënshtrohen rreth 30 mijë maturantë, në 252 Qendra të Testimit dhe mbi 180 klasë, ndërsa për administrim janë të angazhuar rreth 3 mijë zyrtarë.