Vatra reagon ashpër ndaj Qeverisë së Serbisë




Lëvizja Qytetare Vatra, reagon ndaj Qeverisë serbe e cila ka penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve për të kryer obligimin qytetarë në Medvegjë.

 

Përmes një njoftimi për media, Vatra thotë se ka përcjellë me vëmendje procesin e sotëm zgjedhor në Medvegjë dhe ka shprehur indinjatë të thellë ndaj shtetit serb, «pasi që në vendkalimin kufitar në Mutivodë që lidh Kosovën me Serbinë gjegjësisht Medvegjën, shqiptarët e Medvegjës të cilët jetojnë në Kosovë, kanë pritur me orë të tëra për të kaluar kufirin e për të shkuar në Medvegjë të kryejnë obligimin qytetarë-të votojnë».

«Republika e Serbisë ka mobilizuar kufirin tej mase ku ka dërguar xhandarë, ushtri e polici për të frikësuar popullatën shqiptare, me qëllimin kryesor kthimin mbrapa të tyre nga pritjet e stërzgjatura, vetëm e vetëm që shqiptarët të mos marrin pjesë në këto zgjedhje», thuhet në reagimin e Vatra-s.

Sipas kësaj lëvizjeje, kjo është edhe një dëshmi e radhës se shteti serb nuk është shtet demokratik që lejon lëvizjen e lirë për në proceset demokratike zgjedhore, e drejtë kjo e garantuar me konventa ndërkombëtare.

Andaj, lëvizja qytetare Vatra kërkon edhe njëherë nga shteti serb të respektojë marrëveshjen për lëvizje të lirë të qytetarëve sepse shihet qartë që duke penguar popullatën shqiptare të marrë pjesë në këto zgjedhje, ka dashur të inskenoj gjithë procesin zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme lokale në Medvegjë dhe nënshkrimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë nga ana e saj është bërë vetëm sa për sy e faqe.