Valon Behrami ngjall entuziazëm të madh në Zvicër me intervistën e tij

Organizata për të drejtat e njeriut, politikanë, shkrimtarë dhe gazetarë në Zvicër e kanë lavdëruar me tone të larta Valon Behramin pas një interviste të botuar në gazetën «Tages Anzeiger».

Valon Behrami.



Për të diskutuar për vitin 2016, këtë vit të rëndë si pasojë e terrorit dhe vuajtjeve të mëdha në shumë vatra krize, gazeta zvicerane «Tages Anzeiger» ka vendosur të zhvillojë një seri me intervista. Seria ka nisur të botohet të enjten – dhe i pari personalitet i intervistuar është Valon Behrami. Futbollisti i lindur në Mitrovicë, i cili prej vitesh është yll i futbollit zviceran, në bisedën e zhvilluar në Londër me dy gazetarë të «Tages Anzeiger» ka folur si asnjëherë më parë me emocione dhe sinqeritet për shumë tema: krizën e refugjatëve, luksin në të cilin jeton, kohën nën sundimin serb në Mitrovicë, familjen e tij. Intervista – e botuar në shqip nga dialogplus – ka pasur jehonë të jashtëzakonshme në opinionin zviceran, sidomos në Twitter. Në gjuhën shqipe intervistën e gjeni në këtë vegëz: http://dialogplus.ch/valon-behrami-me-shume-do-te-me-pelqente-jeta-ne-mitrovice-122833, ndërsa në gjermanisht: http://webspecial.tagesanzeiger.ch/longform/gespraeche-zum-jahreswechsel/valonbehrami/).

Organizata e njohur për të drejtat e njeriut Amnesty International, seksioni në Zvicër, e ka shpërndarë intervistën në Twitter me këtë shënim: «Valon Behrami mbi luftën, dëshpërimin, arratisjen dhe kulturën e mikpritjes». Shkrimtari dhe muzikanti nga Berna, Jürg Halter, ka shkruar po ashtu në Twitter: «Kur futbollistët dinë të mendojnë dhe të rrëfejnë, atëherë edhe më mirë. Valon Behrami, mes tjerash, për arratisjen dhe azilin».

Intervistën e Behramit e ka shpërndarë në Twitter edhe nënkryetari i Partisë së Gjelbër të Zvicrës Luca Maggi. «Një intervistë e bukur» – me këto fjalë e ka komentuar bisedën e Behramit me gazetarët e «Tages Anzeiger» politikania Jacqueline Fehr. Ajo është ministre e drejtësisë në kantonin e Zürichut, nënkryetare e Partisë Socialdemokrate dhe deputete në parlamentin zviceran. Peter Brönnimann, njëri nga ekspertët më të njohur në Zvicër të reklamimit të produkteve, ka shkruar: «Nuk jam adhurues i futbollit, por tani e tutje adhurues i Valon Behramit. Rrëfime dhe mendime mbresëlënëse». Shumë gazetarë zviceranë e kanë quajtur intervistën me Behramin «intervistë të vitit» në Zvicër.