Vala e lajmit të rremë «po nxit përçarje» në Rumani

Protestat e shkurtit treguan se lajmi i rremë po përdoret si një mjet për të dezinformuar publikun, ndërsa programuesit dhe aktivistët në Rumani po përpiqen të krijojnë paralajmërime për portalet.

Protestat anti-qeveritare në Rumani. Foto: Albert Dobring/Flickr



Një artikull i publikuar të dielën nga Agence France-Presse, AFP, i cili pretendonte se lajmi i rremë po lulëzon në Rumani dhe duke nxitur euro-skepticizmin, ka vënë sërish në qendër të vëmendjes këtë fenomen.

Lajmi nga AFP thoshte se tentativa e qeverisë së social demokratëve në janar për të dobësuar legjislacionin kundër-korrupsion shkaktoi një valë protestash që detyruan kryeministrin Sorin Grindeanu të ndryshonte drejtim – por kjo shkaktoi dhe një valë lajmesh që shformonin të vërtetën nga mediet pro- qeveritare.

Ekspertët rumunë të medies thonë se faqet e lajmeve dhe madje edhe disa stacione televizive kombëtare në mënyrë rutinë shpikën lajme, pjesërisht për shkak se Facebook sjell në trafik të lehtë në faqe, ndërsa Google i jep atyre reklama.

Gazetarët dhe aktivistët thonë se politikanët rumunë nxitën bumin e historive të rreme përmes të ashtuquajturave “fakte alternative”.

Ndërsa autoriteti audiovizual i Rumanisë, CNA, ka filluar gjobitjen e stacioneve televizive që shfaqin lajme të rreme dhe të paverifikuara, aktivistë të shoqërisë civile dhe programues po përpiqen të krijojnë mjete online për të nxjerr në pah burime të rreme lajmesh.

CNA mori mbi 2.000 ankesa në janar dhe shkurt, gati 10 herë më shumë se numri në të njëjtën periudhë në vitin 2016.

Autoriteti ka gjobitur edhe disa stacione televizive për transmetimin e lajmeve të rreme ose për lejimin e shfaqjes së informacionit të rremë pa llogaritur burimin.

Kanali Rumania TV u gjobit me më shumë se 6,000 euro për transmetimin e një video të rreme gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2016, ku pretendonte se protestuesit që rrëzuan qeverinë e qendrës së majtë të Viktor Pontës në vitin 2016 ishin paguar nga filantropi George Soros.

Romania TV, si dhe kanali televiziv, Antena 3, humbi përkohësisht 70-80 reklamues në shkurt, prej mbulimit njëanshëm të protestave anti-qeveritare dhe për lejimin e politikanëve që të përhapnin informacion të rremë pa pyetur për ndonjë provë.

Gjatë vitit të shkuar, artikujt të tjerë të rremë u bënë hit në medien sociale, duke shkaktuar shumë shaka, por edhe duke ngritur shqetësime.

Disa thoshin se ish-kryeministri Dacian Ciolos dhe bashkëshortja e tij ishin të dy anëtarë të një kulti seksual.

Kur vjen fjala për uebsitet, Rumania nuk ka trup rregullator për të parë cilësinë e informacionit.

Për këtë arsye, një grup programuesish të rinj vendosën në shkurt të krijojnë paralajmërime për lexuesit rreth uebsiteve që përhapin lajm të rremë.

Ata krijuan një listë prej 70 faqesh dhe e publikuan atë përmes një aplikacioni që shkarkohet në Google Chrome të quajtur “Për të mos u besuar”, që paralajmëron lexuesit duke shfaqur një mesazh: “Bëj disa kërkime para se ta besosh! Verifikoje informacionin nga burime të tjera!”

«Ne përpiqemi të jemi sa më objektivë në punën tonë. Nuk mbajmë krah politik dhe nuk kemi asnjë agjendë të fshehtë. Mbështesim faqet objektive të lajmeve», tha grupi, duke shpjeguar arsyen.

Lajmet e rreme mund të nxisin ndjenjat anti të huaj dhe të përkeqësojë përçarjet politike, tha Cristian Pantazi, kryeredaktor i portalit Hotnews, duke shpjeguar se protestat e shkurtit në Rumani treguan se si lajmet e rreme mund të ndikojnë shumë në diskursin politik.

Gjatë protestave, Social Demokratët në pushtet dhe aleatët e tyre përdorën histori të ndryshme kundër protestuesve, përfshirë pretendimin se kompani shumëkombëshe fshiheshin pas protestave apo se Rumania ishte gati të shkatërrohej si Ukraina.

«Ideja e parë, ajo e përfshirjes së kompanive shumëkombëshe, është lëshuar nga kryesia [prej shefit të Social Demokratëve] Liviu Dragnea, si dhe nga kreu i Komisionit të Inteligjencës [Adrian Tutuianu]», shkroi Pantazi, duke shtuar se pretendimet ishin qartazi të rreme.

(https://www.reporter.al/vala-e-lajmit-te-rreme-po-nxit-percarje-ne-rumani/)