Vajzat dhe djemtë e Merkelit

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka prezantuar ekipin e ministrave në qeverinë e re: gjysma gra, gjysma burra, më shumë pushtet për të rinjtë dhe konservatorët. Befasia më e madhe: ministër i Shëndetësisë është propozuar të jetë Jens Spahn, kritiku më i madh brendapartiak i Merkelit.

Merkel me ekipin e ministrave dhe ministreve.



«Një ekip i orientuar nga ardhmëria», «përvoja dhe fytyrat e reja (sjellin) një miks të mirë» – me këto fjalë kancelarja gjermane Angela Merkel i ka prezantuar ministrat dhe ministret e reja në kabinetin e ardhshëm me socialdemokratët (SPD). Parakusht për këtë kabinet është miratimi nga ana e anëtarëve të SPD-së. Më 4 mars pritet të bëhet publik rezultati i referendumit intern të SPD-së. Partia konservatore e Merkelit CDU pritet që në kongresin që mbahet sot (e hënë) të miratojë koalicionin e ri. Para se të fillojnë punimet e kongresit, Merkel tha se nga të propozuarit për post ministri vetëm ajo, kancelarja, është mbi moshën 60-vjeçare. Në qeverinë e re CDU do të drejtojë gjashtë ministri – në krye të tri ministrive do të jenë tri gra. Prej tri posteve të ministrit të shetit, dy iu dhanë grave.

Befasia më e madhe në kabinet është Jens Spahn. Ai do të jetë ministër i Shëndetësisë. Spahn, vetëm 37-vjeçar, është ndër kritikët me prominentë të Merkelit. Ai ka kundërshtuar që në vitin 2015 politikën e dyerve të hapura ndaj refugjatëve dhe për këtë e ka bërë përgjegjëse kancelaren Merkel. Në krahun konservator të CDU-së Spahn shikohet si yll që i kundërvihet shndërrimit të CDU-së në parti të socialdemokratizuar të qendrës. Nën drejtimin e Merkel CDU ka braktisur shumë pozicione konservatore dhe ka përqafuar ide liberale. Spahn nga konservatorët në parti shihet si pasardhës i mundshëm i Merkelit. Por me zgjedhjen e pritshme të Annegret Kramp-Karrenbauer si sekretare të përgjithshme të CDU-së Merkel ka bërë me dije se pasardhëse e saj në post mund të jetë sërish një grua. Në të ardhmen beteja për postin e kancelarit mund të zhvillohet mes dyshes Spahn dhe Kramp-Karrenbauer.

Anja Karliczek parashihet të jetë minstre e Arsimit. Ajo ka thënë se nuk kishte llogaritur me një emërim nga Merkel. Karliczek, ekonomiste me profesion, rrjedh nga një familje hotelierësh. Në parlament ajo ka qenë anëtare e Komisionit të Financave. Julia Klöckner do të marrë resorin e Bujqësisë. 45-vjeçarja Klöckner është politikane mjaft e popullarizuar në bazën e partisë. Ajo rrjedh nga një familje prodhuesish të verës. Ministre e Mbrojtjes mbetet Ursula von der Leyen, e cila që nga viti 2005, kur u bë ministre e Familjes, ka përkrahur kursin e Merkelit për modernizimin e vendit dhe të partisë. Ursula von der Leyen është mjeke me profesion dhe nënë e shtatë fëmijëve. Peter Altmaier do të drejtojë ministrinë e Ekonomisë. Juristi Altmaier ka qenë zyrtar i BE-së, ministër i Ambientit, shef i kabinetit të Merkelit, ministër për detyra të veçanta, ushtrues detyre i ministrit të Financave. Këta politikanë dhe këto politikane janë shtyllat kryesore të Merkelit në kabinetin e ri. Socialdemokratët pritet të prezantojnë ekipin e tyre javën e ardhshm.
E.R.