Vajza më e rëndësishme e botës takon udhëheqësen e botës së lirë

Ivanka Trump viziton Berlinin – me ftesë të Angela Merkel.

Ivanka Trump.



Në Gjermani një gjë e tillë nuk mund të merret me mend: që pas zgjedhjes presidenti apo kancelarja të shpërblejnë me poste e privilegje kushërinjtë, vajzat, dhëndurët. Nën udhëheqjen e Donald Trumpit në SHBA gjithçka është ndryshe. Çfarë bie në sy është një nepotizëm i theksuar. Dhëndri i Donald Trumpit Jared Kushner është punësuar si këshilltar në Shtëpinë e Bardhë. Trump ka thënë se pret shumë nga dhëndri i tij, mes tjerash edhe zgjidhjen e konfliktit të përjetshëm mes Izraelit dhe palestinezëve. Hapat e parë në politikën e jashtme Kushner i ka bërë para pak javësh: ai vizitoi Irakun me ftesë të shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane.

Krahas Kushner, i cili nga mediat amerikane quhet «First Son-in-law», një rol të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë e luan Ivanka Marie Trump, e bija më e madhe e Trumpit – dhe bashkëshortja e Kushnerit. «First Daughter», vajza e parë, po ashtu është punësuar në kabinetin e babait të saj. Ajo bart titullin e këshilltares. Që babai i saj ka nevojë për shumë këshilla kjo shihet ashiqare. Trump ka mendim të lartë për bijën e tij – ndërsa djemtë e tij Eric dhe Donald jr. nuk janë shpërblyer me ndonjë post dhe mund të merren me mirëmbajtjen e fushave të golfit të babait të tyre, siç shpotit një gazetë gjermane, Ivankës i janë hapur dyert për të hyrë në qendrën e pushtetit.

Këtë të marte vajza më e rëndësishme e botës takon udhëheqësen e botë së lirë në Berlin. Kancelarja gjermane Angela Merkel me sa duket e ka kuptuar se për të pasur ndikim te Trumpi duhet përkëdhelur familjarët e tij. Në Berlin ende nuk ka qëndruar ministri i Jashtëm Rex Tillerson, i cili po dëgjohet në opinion kryesisht me heshtjen e tij. Merkel e ka ftuar Ivanka Trumpin në një konferencë të grave të shteteve të G-20. Dhe ajo ka pranuar. Ivanka, e lindur më 1981, është bija e Trumpit dhe gruas së tij të parë çeke Ivana. Për dallim nga konservatorët radikalë të Partisë Republikane Ivanka Trump përshkruhet si liberale dhe përkrahëse e barazisë mes grave dhe burrave. Prej saj pritet të frenojë pak karakterin e babait të saj impulsiv. Para se të merrte detyrën e re në Shtëpinë e Bardhë Ivanka Trump ishte shquar si biznesmene. Artikuj të ndryshëm si qafore, këpucë dhe byzylykë bartin emrin e saj.

Ndërsa Ivanka Trump luan rolin e princeshës së kurorës, zonja e parë Melania Trump pothuaj nuk shihet askund. Roli i saj është reduktuar në kujdesin ndaj djalit të saj Barronit, i cili u lind në vitin 2006, pas martesës së sllovenes me miliarderin amerikan Donald Trump. Dallimi mes Melania Trump dhe zonjave të para Hillary Clinton dhe Michelle Obama s’ka si të jetë më i madh. (-lli)