Ushtrim si të reagohet në rast shpërthimi të digës së Batllavës

Në Prishtinë u mbajt «Ushtrimi rreth tavoline Batllava 1», të bazuar në diskutime, që pati për skenarë liqenin e Batllavës, për një rast të inskenimit të tërmetit, respektivisht shpërthimit të një dige.

Në këtë takim morën pjesë Grupi Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve në nivel ministrash, përfaqësues të Agjencisë për menaxhim emergjent dhe Drejtorisë së emergjencave të Komunës së Podujevës, transmeton Koha.net.

Qëllimi i ushtrimit «Batllva 1» është testimi i koordinimit ndërinstitucional dhe aktivizimit të Grupit Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve(GNM), si dhe ofrimi i mundësisë për pjesëmarrësit që t’i diskutojnë planet, politikat dhe procedurat e tyre të brendshme në funksion të zbatimit të Planit të Reagimit Kombëtar.

Ky skenar i inskenimit është i bazuar nga ekspertë me gjendjen reale të shtrirjes së liqenit të Batllavës dhe studimi është i bazuar me rrjedhën reale në rast të një tërmeti dhe shpërthimit të digës.

Agjencia për Menaxhim Emergjent e mbajti këtë ushtrim me qëllimin të koordinimit ndërinstitucional për menaxhimin e incidenteve të karakterit kombëtar. Më këtë rast parashihet fuqizimi i rolit të AME-së, në përpjekjet kombëtare për parandalim, gatishmëri dhe rimëkëmbje për të menaxhuar me të gjitha llojet e incidenteve të shkaktuara nga natyra dhe faktori njeri.