Ushtria zvicerane mendon të angazhojë imamë për mbështetje religjioze të rekrutëve myslimanë

Shefi i Ushtrisë së Zvicrës Philippe Rebord ka deklaruar se nuk do të kishte asgjë kundër që rekrutët myslimanë të kenë mundësi t’i drejtohen një imami nëse kanë nevojë për përkrahje religjioze.

Nga një paradë e Ushtrisë së Zvicrës në Zürich me rastin e Festës Kombëtare më 1 gusht. Foto: Shutterstock



Rregullorja e shërbimit në Ushtrinë e Zvicrës është e qartë: përgjegjës për mbështetje religjioze të ushtarëve janë teologët e ushtrisë, të cilët i përkasin kishës evangjeliste dhe asaj katolike. Por, realiteti në Ushtrinë e Zvicrës ka ndryshuar. Me rritjen e vazhdueshme të numrit të rekrutëve myslimanë (për shembull nga Kosova, Bosnja, Turqia) oficerët e lartë zviceranë janë duke diskutuar për angazhimin e teologëve myslimanë në ushtri, të cilët do të ishin në dispozicion të rekrutëve që kanë nevojë për asistencë religjioze. Nëse në rekrut i krishterë ka mundësi t’i drejtohet priftit në kuadër të ushtrisë, një gjë e tillë në të ardhmen me gjasë mund ta bëjë edhe rekruti mysliman – duke iu drejtuar imamit.

Të hënën në lidhje me këtë çështje, sipas gazetës «Tages Anzeiger», është shprehur edhe shefi i Ushtrisë së Zvicrës, Philippe Rebord. Në kuadër të një konference për media pas 100 ditësh në post, ai deklaroi: «Nuk do të kisha asgjë kundër një imami në kuadër të ushtrisë». Parakusht për këtë, sipas tij, është që imamët të jenë të hapur ndaj feve të tjera dhe në rast se ka kërkesa, ata do të duhej të ofronin asistencë religjioze edhe për të krishterët apo besimtarë të tjerë.

Ndonëse nuk ka të dhëna mbi përkatësinë fetare të ushtarëve të Zvicrës, por sipas të dhënave të fundit 34 për qind e rekrutëve janë zviceranë me prejardhje të huaj. Që nga viti 2015 Ushtria e Austrisë ka angazhuar një imam për kujdes religjioz. Por, gjasat që kjo të bëhet realitet edhe në Zvicër në të ardhmen e afërt janë të vogla. Së pari për shkak se islami nuk është fe e pranuar zyrtarisht nga shteti, së dyti ende ekzistojnë paqartësi mbi kualifikimin teologjik të imamëve. Ndërsa priftërinjtë e krishterë duhet të gëzojnë një arsimim të gjerë fetar, për myslimanët mungon një studim i tillë ekuivalent në Zvicër. Ndaj imamëve të arsimuar në vendet arabe autoritetet zvicerane janë skeptike. (-lli)