Ushtria private e firmës «Ha-Ka»

Loja e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit rreth themelimit të Ushtrisë së Kosovës është e rrezikshme, sepse bëhet për interesat e tyre parapolitike dhe kundër planeve të SHBA-ve. Ky duet edhe ushtrinë dëshiron ta themelojë siç e bëri luftën: me dinakëri dhe kurthe mizore për pushtet.



Çfarë nuk ishte e mundshme me vite, tani u bë realitet. Sa lehtë paskësh qenë. E shkruan një projektligj, e dërgon në parlament, pastaj parlamenti pas një debati të zjarrtë patriotik miraton ligjin dhe – hokuspokus – u bë Kosova me ushtri. Urime. Suksese.

Pak a shumë këtë lojë e ka filluar Hashim Thaçi ditëve të fundit, duke anashkaluar Lidhjen Demokratike të Kosovës, partnerin kryesor të Partisë Demokratike të Kosovës në qeverinë aktuale, duke refuzuar çdo konsultim me partitë e tjera parlamentare, duke injoruar çdo debat publik, duke injoruar kërkesat e aleatit kryesor të Republikës së Kosovës – Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo është njëra nga lojërat e radhës të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Është një lojë e rrezikshme, sepse bëhet për interesat e tyre parapolitike. Ky duet edhe ushtrinë dëshiron ta bëjë siç e bëri luftën: me dinakëri dhe kurthe mizore për pushtet personal. Se deri ku ka shkuar marrëzia politike në Kosovë e tregon fakti se Thaçi paskësh biseduar në telefon me kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiq mbi themelimin e ushtrisë së Kosovës, por jo me opozitën kosovare dhe me LDK-në e Isa Mustafës, me ndihmën bujare dhe të verbër të së cilës sundon këtë vend.

Kërkesa e Washingtonit është e qartë: ushtria duhet të themelohet duke ndryshuar Kushtetutën, domethënë me dy të tretat e votave të deputetëve, përfshirë dy të tretat e votave të parlamentarëve nga radhët e pakicave. Një gjë e tillë arrihet me konsensus paraprak – nëse Kosova synon të krijojë ushtri për tërë territorin e saj dhe jo vetëm deri te ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Që Serbia do të jetë kundër ushtrisë së themeluar nga Thaçi e Veseli është e qartë dhe nuk paraqet kurrfarë befasie. Më problematike është që kundër një projekti të tillë do të jenë NATO dhe trupat e saj në Kosovë. Atëherë do të kemi një ushtri që do të shfaqet si dekor sigurie, por do të jetë e izoluar nga NATO-ja. Se ku do të arrijë Kosova duke refuzuar NATO-n mund të merret me mend. Para pak javësh opinioni kosovar u entuziazmua që sekretari i ri amerikan i Mbrojtjes si prioritet përmendi themelimin e ushtrisë së Kosovës. Ky entuziazëm mund të shndërrohet në dëshpërim nëse nuk respektohen rregullat e lojës. Dhe vallen e mosrespektimit të rregullave e kanë filluar Thaçi dhe Veseli.

Qëllimet e tyre janë të qarta. Duan të provokojnë zgjedhje parlamentare, sepse mendojnë se ky është shansi i tyre i fundit që PDK të fitojë edhe njëherë zgjedhjet. Tani që kontrollojnë gati çdo gjë në shtet dhe në nëntokë, mundësitë për të «fituar» janë më të mëdha. Një qëllim tjetër është acarimi i situatës në Kosovë në prag të ngritjes së aktakuzave të Gjykatës Speciale. Rastësi apo jo: eskalimi i gjendjes në Kosovë i konvenon edhe Aleksandër Vuçiqit në prag të zgjedhjeve presidenciale në Serbi. Kështu bashkohen interesat e autokratëve të Ballkanit. Siç u bashkuan edhe gjatë provokimit serb me «trenin nacionalist».

Shefat e PDK-së, Thaçi dhe Veseli, po përpiqen të themelojnë ushtrinë e tyre private. Ushtrinë e firmës «Ha-Ka». Këtë lojë meskine të tyre duhet ta bojkotojnë të gjithë ata që e duan një Kosovë properëndimore. Nëse Kadri Veseli emiton spote elektorale në televizionin e tij privat RTK, nëse atij i ngutet ta zaptojë sa më shpejt kolltukun e shefit të qeverisë, popullit të Kosovës duhet t’i ngutet të pengojë dredhitë, mashtrimet dhe lojërat e ndyra politike të tij dhe të sekretares së tij Hashim Thaçi. Kosova ka nevojë urgjente për president dhe kryeministër të denjë për këtë post dhe jo për kalkulantë politikë që funksionet publike i përdorin dhe keqpërdorin për fshirjen e gjurmëve të krimeve që mund të kenë bërë gjatë karrierës së tyre nëntokësore, për manipulim të zgjedhjeve, për pazare me tenderë dhe për keqpërdorim të parasë publike.

Me nismën për themelimin e ushtrisë së tyre private Veseli dhe Thaçi tallen me popullin e Kosovës – dhe sidomos me LDK-në. Kryetari i LDK-së Isa Mustafa sonte reagoi ashpër kundër Thaçit dhe Veselit, të cilët përmes portaleve të tyre atakuan ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) se na qenkësh kundër transformimit të FSK-së. Këto akuza, sipas Mustafës, janë «të papranueshme, të papërgjegjshme dhe tendencioze». Përkthyer në gjuhë të kuptueshme Mustafa i quan Thaçin dhe Veselin – me të drejtë – të papërgjegjshëm dhe tendenciozë. Por as Mustafa, as LDK mos të presin mëshirë, mirëkuptim dhe përkrahje nga opinioni, sepse pa LDK-në sot nuk do të ishin «të mëdhenj» as Thaçi, as Veseli. LDK do të gëzojë përkrahje kur të shkëputet nga një organizatë kriminale siç është PDK dhe të bashkohet me një front të përbashkët opozitar. Me një PDK tjetër, pa figura aq dubioze si Veseli e Thaçi, LDK mund të bëjë koalicion pas 5 apo 10 vitesh. Por atëherë – e ndoshta edhe më herët – në këtë garë LDK-në mund ta pengojë Lëvizja Vetëvendosje.