Ushtria e George Washingtonit antiamerikan

Kosova nuk ka nevojë për një ushtri të themeluar në kundërshtim me porositë e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sepse një ushtri e tillë do të jetë vetëm pjesë e lojërave politike të Hashim Thaçit, perspektiva politike e të cilit po zvetënohet. Por fati i tij politik dhe personal nuk duhet të jetë më i rëndësishëm se fati i shtetit të Kosovës. Një ushtri e krijuar si rezultat i konfrontimit me NATO-n do të jetë e izoluar dhe uniformat dhe alltitë me ujë mund t’i blejë vetëm në ETC-në e Ramiz Kelmendit.

Foto: Shutterstock



Hashim Thaçi e ka vënë shoqërinë e Kosovës para një dileme të rrejshme: kush nuk e mbështet projektligjin e tij për themelimin e ushtrisë së Kosovës, automatikisht mund të shikohet si kundërshtar i kësaj «ideje gjeniale» të presidentit të Kosovës dhe, rrjedhimisht, tradhtar. Në këtë grackë kanë rënë disa parti, por edhe opinionistë, jo pak prej tyre dallaveraxhinj dhe intrigantë politikë. Nëse shikohet më afër çështja e ushtrisë, e cila ka çuar aq shumë pluhur politik në Kosovë, atëherë shihet se si shumë ide të Thaçit edhe kjo me ushtrinë nuk e ka në plan të parë interesin e Kosovës, por agjendat e tij personale. Pak njerëzve me gjasë u kujtohet se pas luftës Thaçi si kryetar i atëhershëm i PDK-së kërkonte moratorium (shtyrje të afatit) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Përse?

Sepse kishte frikë se do të ishte në opozitë dhe pavarësinë do e shpallte ndonjë kryeministër apo kryetar tjetër. Po ashtu me këtë kërkesë kokë më vete ai synonte të tregohej i moderuar ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe Serbisë, për dallim nga kryeneçi Ibrahim Rugova apo «lordi i luftërave» Ramush Haradinaj. Shembulli tjetër: në bisedimet e Brukselit Thaçi ka garantuar se Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) nuk do të stacionohet në veri pa pëlqimin e serbëve të atjeshëm dhe – rrjedhimisht – të Beogradit. Këtë ai nuk e ka bërë për interesa të Kosovës, por për t’u dëshmuar politikan i moderuar ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Çka i duhet Kosovës ushtria që nuk guxon të stacionohet në pjesë të caktuara të territorit?

Thaçi, partneri verbërisht besnik i bashkësisë ndërkombëtare, George Washingtoni i Kosovës, është shndërruar në antiamerikan me insistimet në stilin «ushtria do të bëhet», me aludimet se për këtë punë nuk pyesim askënd, për të thënë pastaj se Kosova po vepron në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare sa i përket themelimit të ushtrisë – një përgjigje e stilit të tij të dikurshëm: «Kosova e di datën». Pasi që paralajmërimet e brendshme nuk kanë bërë punë, ambasadori i SHBA-ve e ka parë të udhës t’ia tërheq disa herë veshët presidentit të Kosovës – publikisht, në Twitter. Ambasadori përfaqëson politikën zyrtare të një shteti. Greg Delawie ka folur për mediat në gjuhën shqipe dhe serbe të Kosovës dhe ka theksuar se Washingtoni kundërshton nismën e Thaçit, por jo idenë e themelimit të ushtrisë së Kosovës. Një ushtri e tillë, sipas Delawie, do të krijohet duke ndryshuar Kushtetutën. Për këtë duhet të binden serbët. Dhe si binden serbët? Duke e kaluar në Kuvend projektin e bashkësisë së komunave serbe, të negociuar nga Thaçi.

Kur presidenti i Kosovës po thotë se serbët nuk mund t’i bind askush të japin votën për ushtrinë e Kosovës, atëherë kjo tregon se me çfarë sharlatanizmi ka negociuar në Bruksel. Pasi ia ka varur në qafë Kosovës barrën e bashkësisë së komunave serbe, atëherë Thaçi duhet të angazhohet që kjo bashkësi të ketë statutin e vet, siç është obliguar Kosova përballë BE-së dhe SHBA-ve. Atëherë mund të pritet që pala serbe të votojë ushtrinë e Kosovës. Brenda qarqeve të bashkësisë ndërkombëtare ka zëra që po favorizojnë kalimin në pako të projektit për ushtrinë e Kosovës dhe bashkësinë (asociacionin) e komunave serbe. Nëse ndërkohë Thaçi e ka kuptuar se marrëveshja e arritur prej tij mbi bashkësinë e komunave serbe është e keqe, duhet të jetë i sinqertë dhe ta thotë këtë – dhe jo të merret me lojëra të ndyra politike duke synuar që Kosova të turbullojë marrëdhëniet me shtetet perëndimore, të cilat janë garantuese të ekzistencës së shtetit të Kosovës. Shoqëria e Kosovës nuk e ka pasur kurrë luksin të orientohet apo konfrontohet me botën perëndimore. Situata e tanishme gjeopolitike kërkon një vëmendje edhe më të madhe, një përgjegjësi historike si nga politikanët ashtu edhe nga mediat.

Kur 28 shtete të NATO-s thonë se nuk e përkrahin nismën e Thaçit për ushtrinë, kjo s’mund të injorohet. Ata që e injorojnë janë vetëm manipulues me fatin e Kosovës. Thaçi po thekson se Kosova nuk mund të hyjë në NATO me një shoqatë të gjuetarëve (siç po e fyen ai Forcën e Sigurisë së Kosovës). A do të hyjë Kosova në NATO nëse kalon ligji i Thaçit në Kuvend? Assesi. Hapi i parë i NATO-s do të jetë heqja dorë nga trajnimi i FSK-së dhe izolimi i kësaj trupe. Kosovës nuk i duhet një trupë ushtarake, e cila shërben për krekosje pseudopatriotike. Ku do të furnizohet ushtria e ardhshme e Kosovës me armë e pajisje nëse themelohet në kundërshtim me kërkesat e NATO-s? Një gjë është e sigurt: jo në vendet anëtare të NATO-s. Atëherë Hashim Thaçi mund të shkojë në ETC-në e Ramiz Kelmendit dhe t’ua blejë uniformat ushtarëve. Mund të blejë edhe tanke prej plastike dhe ndonjë allti me ujë për të rritur nivelin e zbavitjes së «fakerave» dhe «fakerashave» të Kosovës. (Fjalët «faker» dhe «fakerasha» Thaçi i përdori në një nga këto emisionet e shumta humoristike kosovare, duke u përpjekur të duket «cool», pa e vërejtur se po jep vetëm një shfaqje të zbehtë dhe larg nën nivelin e një presidenti).

Një president serioz do të mendonte për konsekuencat e nismave të tij. Çfarë do të thoshin Thaçi dhe mbështetësit e tij nëse pas miratimit të ligjit për ushtrinë në Kuvend shefi i UNMIK-ut, me kërkesë të Komandantit të KFOR-it (e ky sipas udhëzimeve të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së), të urdhërojë NATO-n (KFOR-in) të shpërbëjë dhe çarmatos FSK-në, duke ia marrë edhe kompetencat që i ka fituar në një proces aspak të lehtë? Në rast të tillë Thaçi do të merrej ndoshta me themelimin e shoqatës së zjarrfikësve. Kosovës vërtet i duhet një ushtri, por e tillë që ia mundëson shtetit të ri dhe ende të kontestuar të futet nën ombrellën e NATO-s. Kur Thaçi po tallet se Kosova nuk mund të hyjë në NATO me shoqatë të gjuetarëve, ai injoron një fakt: edhe Shqipëria është anëtarësuar në NATO me një shoqatë gjahtarësh. Siç dihet ushtria shqiptare u shpërbë në vitin 1997 dhe 12 vjet më vonë, më 2009, Shqipërisë iu dhurua anëtarësimi në NATO. Kush mendon se Shqipëria do të ishte në gjendje të mbrohej me forcat e veta në rast rreziku, shpërfaq një naivitet kolosal. Kjo nuk domethënë se Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të kenë ushtri të fuqishme. Por në kontekstin e tanishëm gjeopolitik një gjë e tillë për shqiptarët është e mundur në partneritet me NATO-n dhe vendet prijëse të saj si SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania.

Këto ditë në Prishtinë mund të dëgjohen versione të ndryshme mbi motivet e Thaçit për të themeluar ushtrinë. Një burim thotë se ai ka dëgjuar se është «subjekt hetimi» nga Gjykata Speciale, gjë që nuk paraqet aspak befasi kur dihet sa herë i përmendet emri Thaçit në raportin e Këshillit të Europës. Një burim tjetër pretendon se sinjalet që ka marrë Thaçi janë edhe më dramatike për të. Një gjë është e sigurt: si politikan që gati krejt karrierën e ka ndërtuar duke i hedhur edhe shokët më të ngushtë në grackë dhe humnera, edhe në vitin 2017 Thaçi do të përpiqet që çdo veprim që e bën t’i shërbejë për të mbetur në skenën politike të Kosovës. Por fati i tij politik dhe personal nuk duhet të jetë më i rëndësishëm se fati i shtetit të Kosovës. Këtë e pati kuptuar mirë Ramush Haradinaj kur dha dorëheqje nga posti i kryeministrit në momentin që e mori aktakuzën nga Tribunali i Hagës. Nga Thaçi nuk mund të pritet një rezon i tillë shtetëror. Ai më parë është i gatshëm që me veprimet e tij të shkaktojë kaos dhe në rast se nuk ka rrugëdalje madje ndoshta edhe të arratiset me avion të Çalik Holdingut te miku i tij Rexhep Taip Erdoan.

Ngritja e akuzave nga Gjykata Speciale (pa marrë parasysh kundër kujt) nuk duhet të dramatizohet. Aktakuza shpallet pas një dyshimi të bazuar. Dënimi mund të shpallet vetëm përtej çdo dyshimi. Nëse krerët e atij që quhej Shtab i Përgjithshëm i UÇK-së qe gati 20 vjet thonë se çdo pjesëtar i UÇK-së ka bërë luftë të pastër, atëherë nuk duhet të kenë frikë.