Ushtari Shvejk në Bruksel

Rreziku më i madh për serbët e Kosovës është politika zyrtare serbe ndaj Kosovës. Të gjitha analizat tregojnë se çfarëdo lufte rreth Kosovës do të ishte katastrofë për Ballkanin qendror, para së gjithash për Serbinë.

Në përkrahje të Vojislav Sheshelit: Tomislav Nikoliqi dhe Aleksandër Vuçiqi para se të bëheshin «demokratë» dhe «proeuropianë».



Samiti i Paqes me shqiptarët e Kosovës në Bruksel u zhvillua në nivelin më të lartë. Vuçiqi e mori me vete edhe ushtarin e mirë Nikoliq, me qëllim që bashkë me atyre që nuk do t’i pranojë kurrë, t’ua shpjegojë vendosmërinë e tij, d.m.th. nëse do të luftojë për Kosovën, a do ta bëjë këtë pa kushte, ose në rast se shqiptarët të paktën vetëm edhe një herë i bëjnë kurth ndonjë ideje gjeniale të Marko Gjuriqit ose diçka ngjashëm. Ose ta ulë kokën dhe të dëgjojë çfarë i thonë.

Duket se Vuçiq ka arsye mjaft të mira ta marrë pas vetes një shoqërues të tillë të dyshimtë, siç është pa asnjë dyshim komandanti suprem i Ushtrisë serbe.

Motivi i parë është se ai mund të jetë epror i jashtëzakonshëm me rastin shpërthimeve bizare të shpeshta të Tomislav Nikoliqit. Vuçiqi kështu dëshmon se ai «nuk e jep» mikun e dikurshëm politik, por në të njëjtën kohë e mban të lidhur me një litar të shkurtër, duke i treguar bindshëm se kush është shefi. Arsyeja tjetër në qarkullim është për ta penguar Nikoliqin në trillimin dhe transmetimin edhe të ndonjë deklarate të çoroditur, e cila në çdo rast nuk do të ishte asgjë më pak se një gafë e rëndë.

Kryeministri nuk ka shumë pasoja nga dështimet e pakontrolluara të njerkut të tij politik për shkak se ato janë aq të shpeshta sa janë bërë standard. Madje ka përfitime në atë që mund ta margjinalizojë Nikoliqin kurdo që ai dëshiron, ta poshtërojë aq sa ai vërtet e meriton, si dhe t’ia zvogëlojë edhe më tej dimensionin e tij edhe ashtu të vogël politik. Pra, mesazhi është se nga Tomislavi nuk varet asgjë, madje as nga fjalët e tij, e as nga lajmet më të këqija, prandaj paralajmërimi për luftë është në fakt një eksperiment steril i linjës së pafuqishme militariste në Serbi. Të gjithë kjo me Lubisha Dikoviqin, njeriun e shfrytëzuar, të cilin Vuçiqi e përdor për t’u përballur me përmbytjet, ndërsa Nikoliqi për fotografi. Mesazhi i një pjese të arsyeshme të Ushtrisë serbe do të tingëllonte se njerëzit e saj nuk kanë as për bukë, e lëre më për motivet luftarake të Nikoliqit.

Tensionet sigurisht do të mbeten edhe kur të ftohen kokat e nxehta në majat e politikës serbe dhe kosovare, por kryeministri serb, sikur edhe nga treni (i cili u nis, e pastaj u ndal), edhe nga Nikoliqi i cili kërcënoi, por Vuçiqi e ndali, edhe nga faturat e energjisë elektrike që dikush i fryu ndërsa ai bujarisht i shfryu, do të fitojë poenë të rinj në bilancin e tij popullist. Kurdo që dikush, në bashkëpunim me të, e bën një rrëmujë të rëndë dhe budallallëk të rrezikshëm, ai e korrigjon menjëherë dhe për këtë pastaj merr mirënjohje nga bota për dije dhe arsye, ndërsa në mesin e paditurisë serbe e merr rolin e shenjtorit të pagabueshëm.
Kjo sigurisht hyn në fuqinë e politikës së prishur dhe të poshtër, e cila ushqehet me një kujtesë të shkurtër dhe besim të vogël qytetar. Dhe, kjo ngërdheshje e pafrytshme militariste ka të ngjarë të çojë në ekzaltimin dhe në dashurinë e parezervë për udhëheqësit vendimtar. Të paktën për njërin prej tyre, për atë që e udhëheq udhëheqësin tjetër.
Përcaktimi i udhëheqësit ushtarak Nikoliq nuk është e thënë të jetë domosdoshmërisht i nxituar, por në këtë rast e ka një paraqitje të stimuluesve të njohur të estradës politiko-mitike, të cilët përndryshe nuk do të mbijetojnë në politikën racionale. Kështu, është e mundur që kombinimet luftarake të komandantit suprem, përndryshe udhëheqësit të dështuar çetnik, të prodhojnë interpretim diletant në marrëdhëniet aktuale ndërmjet fuqive të mëdha. Në lojërat e tyre Nikoliqi dhe grupi i tij me pikëpamje të përafërta kanë llogaritur se për «kthimin» e Kosovës nuk është i mjaftueshëm vetëm «putinizimi» i pjesëve të Ballkanit, por edhe të gjitha përfitimet e «trampizimit» global. Përfundimi është i përsosur, siç është edhe idiotesk: Ka përfunduar epoka e Jelcinit, por për shkak të Putinit gjithsesi askush nuk guxon të na sulmojë. Tani kur edhe Tramp na mbështet, mund të hyjmë lirisht me trupa në veri të Kosovës. Sipas kësaj logjike të verbër, vjen edhe deklarata amatore e Nikoliqit dhjetë ditë më parë, e cila në asnjë mënyrë nuk shkon përtej filozofisë së çmendur duke pirë birrë para një kafehaneje provinciale.

Kështu e kemi fituar një dyshe jashtëzakonisht të pasigurt: Presidenti e tregon vendosmërinë patologjike, kryeministri urtësinë e madhe, sikur edhe vendosmërinë e shefit në krye të shtetit, që praktikisht nuk ka, ta ndalojë me fuqinë e arsyes, nëse këtë e ka ndonjëherë.

Kjo është loja që zhvillohet jashtë rregullave të drejta të politikës së brendshme dhe asaj të jashtme. Por, nuk duhet të harrojmë se kryeministri i kontribuon në masë të mirë agresionit verbal tragjikomik të presidentit. Tashmë ka rënë në harresë, por duhet të rikujtojmë: kohët e fundit, Vuçiq në një hekurishte ushtarake ruse bleu një teknikë të avancuar të aviacionit, e cila prej kohësh nuk është në gjendje të fluturojë, edhe pse në të ardhmen e largët edhe kjo është e mundur. Ekspertët ushtarakë (për shembull gjenerali i forcave kundërajrore, Blagoje Grahovac) dyshojnë se ato mbeturina, pa marrë parasysh se sa para janë investuar për to, do të fluturojnë ndonjëherë. Ndoshta vetëm një herë, për shkak se rusët nuk na kanë dhënë ndonjë informacion në lidhje me riparimet që janë kryer, e as për planet që për to janë të pashmangshme. Kështu, kryetari i Qeverisë serbe bëri tregti në mënyrë arbitrare me rrënojat e shtrenjta, qëllimi i vetëm i të cilit ishte që për disa ditë ta rrisë rejtingun e kreut pushtetar.

Presidenti dhe kryeministri e mashtrojnë hapur opinionin publik me pretendimet për t’u kujdesur për serbët në Kosovë. Por, realiteti është ndryshe, shumë më i rrezikshëm sesa mund të merret me mend. Rreziku më i madh për serbët e Kosovës është politika zyrtare e Serbisë ndaj Kosovës, si dhe instrumentalizimi i vrazhdë i popullatës lokale. Të gjitha analizat qëllimmira tregojnë se çfarëdo lufte në Kosovë do ta prodhonte një katastrofë për pjesën qendrore të Ballkanit, para së gjithash për Serbinë. Është e sigurt se administrata e Trumpit me të gjitha mjetet do ta mbronte platformën e Clintonit të vitit 1999. Është e qartë se përveç dërgimit të sinjaleve të forta diplomatike, Putini nuk do të përzihej në këtë. Shvejku dykrenor në Bruksel do të duhej ta dinte këtë, por fatkeqësisht nuk e di!

Është e sigurt se Serbia nuk mund të luftojë me fuqi ushtarake për të gjithë qytetarët e Kosovës, forcë të cilën realisht nuk e ka, e kjo as nuk do t’i ndihmonte, përveç me mençuri politike. Por, njëkohësisht ky është edhe rreziku më i lartë i mundshëm. Nuk ka asgjë që në këtë kohë është më e rrezikshme se mençuria politike serbe.

(Botuar nga Peščanik.net. Përkthimi dhe të drejtat për botim në gjuhën shqipe: dialogplus.ch. Ndalohet ribotimi nga mediat e tjera).