Ushtari serb takon «armiqtë» që i shpëtuan jetën

Pasi ushtari serb i Bosnjës, Nikola Barishiq shkeli një minë tokësore, jeta e tij u shpëtua nga trupat dhe mjekët «armiq» – dhe tani ai është rikthyer për t’i dhuruar mijëra euro spitalit të tyre në shenjë mirënjohjeje.

Dr. Mirsad Granov (majtas) dhe Nikola Barishiq. Foto: BIRN.



Ndërsa Nikola Barishiq priste vdekjen për nëntë ditë në një mal pasi kishte shkelur një minë tokësore në vitin 1995, ai nuk mendoi kurrë se jeta e tij do të shpëtohej nga armiku.

Të premten ai udhëtoi drejt Travnikut në Bosnjën qendrore, për të vizituar dhe për t’i dhuruar 3,000 euro spitalit që i shpëtoi jetën dhe për të përshëndetur mjekun që i preu këmbët.

Por Mirsad Granov, drejtori i spitalit, nuk është më thjesht vetëm shpëtimtar i tij.

Bashkë me anëtarët e ekipit të tij të operacioneve të kohës së luftës, dr. Zlatan Zhivanoviq dhe dr. Zoran Banjaq, dr. Granov – i cili i qëndroi tepër besnik Betimit të tij të Hipokratit edhe gjatë konfuzionit dhe tmerreve të luftës së Bosnjës 1992-1995 – e mirëpriti atë si një mik i vjetër.

«Nuk mund ta harroj kurrë atë, këta njerëz dhe këtë spital», tha Barishiq, ndërsa dorëzonte paratë, që do të përdoren për pajisjet spitalore.

Për dr. Granov, 3.000 eurot e Barisiqit përfaqësojnë shumë më tepër se atë.

«Kjo nuk mund të matet», tha ai, duke shtuar se donacioni i Barishiqit është njësoj sikur një manjat t’i kishte dhuruar disa ndërtesa spitalit.

«Fatkeqësia mund t’i ndajë njerëzit, por gjithashtu mund t’i bashkojë njerëzit», thotë dr. Granov ndërsa kujton mbijetesën e vështirë të Barishiqit.

«Nikolla i humbi të dyja këmbët, por ai e mbajti mend shtëpinë në të cilën kaloi më shumë se dy muaj në një periudhë çnjerëzore, por në një ambient njerëzor», shtoi doktori.

Në vitin 1995, Barishiq ishte një ushtar në forcat e armatosura të Republikës Serbe të Krajinës dhe nuk pranoi të dorëzohej kur forcat kroate e morën zonën gjatë Operacionit Stuhia.

Në vend të kësaj, ai rendi të shpëtonte jetën e tij.

Ai vendosi të ndërmerrte një udhëtim të gjatë në terrenin malor të Bosnjës drejt Serbisë – në këmbë.

Udhëtimi i gjatë filloi në gusht 1995, ndërsa ai i fshihej forcave kroate duke kërkuar nëpër bunkerë të braktisur për ushqime të mbetura dhe duke mbledhur manaferra dhe mollë në pyll për të mbijetuar.

Por në fund të tetorit, Barishiq shkeli mbi një minë tokësore në malin Komar, pranë Travnikut.

Ai humbi këmbën.

Ai kaloi nëntë ditë në një kasolle të braktisur në mal në agoni, me asgjë tjetër veçse ujë për të pirë – duke pritur vdekjen.

Pritja e tij përfundoi kur ai dëgjoi anëtarët e Ushtrisë Boshnjake, një tjetër ushtri e pamëshirshme, duke kaluar pranë vendit ku ai po fshihej.

Ushtarët e Ushtrisë Boshnjake dhe trupat serbe të Bosnjës kishin luftuar në mënyrë të pamëshirshme me njëri-tjetrin gjatë të gjithë luftës, por sidomos në vitin 1995, kur hartat e vendit po ndryshoheshin në mënyrë brutale, për t’u vulosur përfundimisht në Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, e nënshkruar në nëntor.

Pak muaj para se të binte zona e Krajinës, trupat serbe të Bosnjës kishin kryer masakrat e Srebrenicës – më vonë të përcaktuara në gjykatë si një akt gjenocidi kundër boshnjakëve.

Por Barishiq, i cili tashmë kishte ngelur vetëm lëkurë dhe kocka, donte t’i jepte fund vuajtjes së tij dhe ai i lejoi me dashje ushtarët e Ushtrisë Boshnjake të kuptonin se ai ishte atje.

Por në vend që ta vrisnin, ushtarët e çuan Barishiqin në spitalin në Travnik, i drejtuar nga kirurgu i lindur në Sarajevë, dr. Gravov, i cili i trajtonte të gjithë të plagosurit pavarësisht nëse ata ishin serbë, kroatë apo boshnjakë.

Gjëja tjetër që mban mend Barishiqi është se u zgjua pasi kirurgu i preu këmbën e plagosur duke i shpëtuar kështu jetën.

Në fillim të nëntorit, u desh t’i prisnin edhe këmbën tjetër – pasi ajo ngriu ndërsa ai ishte në mal.

Granov u kujdes për Barishiqin gjatë të gjithë periudhës së shërimit të tij, njësoj siç vepron me të gjithë pacientët e tij.

Ushtari u largua nga spitali drejt Serbisë në fillim të vitit 1996, pasi lufta mbaroi – por ai do t’i ishte gjithmonë mirënjohës doktorit që s’do t’ia harronte kurrë fytyrën.

Sot ai jeton në Batajnica pranë Beogradit dhe deri së fundmi, dëshira e tij më e madhe ishte të takonte përsëri dr. Granovin.

Dëshira e tij u përmbush në fund të prillit të këtij viti, kur doktori udhëtoi drejt Serbisë për një kongres.

Të dy kontaktuan bashkë dhe një organizatë vendase lajmesh, Krajishke Novine, organizoi takimin e tyre në një restorant lokal në Novi Sad.

Dr. Granov solli gjithashtu gruan dhe dy miq të tij të ngushtë që të takonin Barishiqin.

Të dy biseduan, shkëmbyen eksperiencat e tyre të kohës së luftës dhe vendosën se ata ishin «vëllezër për jetë».

Barishiq më pas vizitoi përsëri spitalin në Travnkik, vendin ku ai «rilindi për herë të dytë», ku ai luftoi që të mbijetonte nën kujdesin e dr. Granov.

«Uroj që lufta dhe vuajtja të mos ndodhë më kurrë», tha Barishiq, duke përmbajtur emocionet e tij.

«Në luftë, të gjithë humbasin dhe njerëzit e thjeshtë nuk e duan luftën».

(https://www.reporter.al/ushtari-serb-takon-armiqte-qe-i-shpetuan-jeten/)