Ushqimi kryesor pas 11 qershorit: përmendore dhe buste!

Shumica e liderëve politikë nuk kanë përgjigje për problemet reale të Kosovës, rrjedhimisht ata merren vetëm me të kaluarën, ku përherë paskan luajtur rol «të lavdishëm», «heroik», «patriotik». Në vend të fabrikave propozojnë ndërtimin e përmendoreve. A i duhet Kosovës menyja e betonit?

Ilustrimi: Shutterstock



Fushatë zgjedhore. Kanë zënë trimat fushën e mejdanit dhe po flasin për të kaluarën, për heroizmat e tyre, për epokat e lavdishme, «epopetë» atje e këtu, gjithandej. Kjo e kaluar në sytë e atyre që e shohin veten si heronj nuk qenkësh sa duhet e nderuar dhe e përkujtuar në shoqërinë kosovare. Madje ka edhe portale të «poshtra» satirike që po tallen me të kaluarën e disa «komandantëve», sidomos të kaluarën e pasluftës. Disa nga këta «komandantë» me dëshirë do të donin të fshinin nga biografia të bëmat e tyre të pasluftës. Por, ja që ato s’fshihen, ja që veprat e tyre të pasluftës po u shërbejnë edhe portaleve satirike për humor therës, të dhimbshëm. Të hutuar dhe pa kurrfarë strategjie për zgjidhjen e problemeve akute, «komandantët» nuk i premtojnë Kosovës fabrika, as 200 mijë vende të punës, Kosovës, thonë ata, i mungojnë përmendore. Buste. Shtatore.

«I mungojnë këtij vendi ende shumë përmendore», tha njëri nga eksponentët e koalicionit të territ, një figurë që mesatarisht çdo dhjetë ditë e ka keqpërdorur veturën e një ambasade të Kosovës për udhëtime private. «Mshoj gjanarski jarani jem». Ky është mentaliteti i liderëve të tillë. Ata nuk kanë haber për problemet e Kosovës, janë të paaftë të sjellin në Kosovë një investitor, andaj flasin për përmendore.

Pse nuk e shpallim Kosovën muze të hapur, Open-Air-Museum? Pse s’e shpallim Kosovën arenë të skulpturave, shtatoreve, busteve e përmendoreve socrealiste të artistëve të dështuar e të importuar, të cilët veprat i prodhojnë me porosi? «A e doni heroin me pushkë në krah apo me raketahedhës? Jemi në shërbimin tuaj. 24 orë. Ta bën vëllai menjëherë». Ta fshijmë krejt historinë, sepse Kosova është zbuluar më 1999. Më parë ky vend ishte shkretëtirë, s’kishte as dije, as kulturë, as histori. Gjithçka fillon më 1999. Kjo duhet të përkujtohet sidomos në vitin 2017, pasi janë bërë shkrumb e hi të gjitha idealet – dhe ideali i vetëm që i ka udhëhequr këta njerëz me shumë muskuj dhe pak tru ka qenë tenderi (10, 15 apo 20 për qind?), kontratat ilegale, bixhozi me pasurinë publike, nepotizmi, xhipat e zi, aferat spektakulare.

Si të mbulohen «sa më mirë» këto afera? Natyrisht me përmendore. Me buste. Me rrëfime heroike për luftën. Duke kujtuar «shokët», të cilët janë sabotuar dhe luftuar në luftë. Në luftën e fundit të Kosovës për çlirim kishte shumë heronj, pa asnjë dyshim. Shumë njerëz u kyçën në luftë të shtyrë nga motivet atdhetare dhe nuk u bënë pjesë e klaneve, e mendësisë rajonale, fisnore, nuk u bënë pjesë e tradhtive, e ngritjes së pritave mes shokëve. Por, kjo është njëra anë e historisë. Ana tjetër nuk është e bardhë, njollat e saj s’hiqen. Kundër shumë «komandantëve» ekzistojnë akuza ose së paku pyetje publike, të thëna edhe në parlament. Ato tingëllojnë shpesh kështu: dyshohet se filan luftëtarin e ka vrarë filan «komandanti», dyshohet se atë luftëtar që mori udhën e mundimshme nga Shqipëria për të hyrë në Kosovë e tradhtuat dhe tërë grupi ra në pritë, dyshohet se pas luftës u eleminua ky apo ai luftëtar i denjë, i cili s’pajtohej me fushatën grabitëse të disa «komandantëve», dyshohet se kaq miliona të dedikuara për të blerë armë u zhdukën pa gjurmë.

Mos të flasim më gjatë këtu për aksione aventuriere të disa «komandantëve», të cilat përfundonin me lënien e popullsisë nën mëshirën e paramilitarëve serbë. Për masakrat e tmerrshme fajtorë janë vetëm paramilitarët e regjimit të atëhershëm të Beogradit, por sot, në vitin 2017, këta «komandantë» do të duhej të ishin pak më kokulur dhe jo ta shurdhonin opinionin me heroizmat e tyre shpesh të paqena, saqë nganjëherë njeriu pyet veten: a është e vërtetë se në vitin 1999 NATO e ka bombarduar Serbinë 78 ditë me radhë apo kjo ka qenë vetëm një ëndërr, sepse, siç po thotë kryetari i PDK-së, UÇK «e dogji me rrënjë Serbinë». Në kushte normale ky njeri do të duhej të shkonte te mjeku i syve, por tani është fushatë elektorale dhe kufiri mes përrallave dhe të vërtetave është pezulluar.

Në qershor të vitit 1999 gazeta britanike «Times» citonte një informator nga radhët e KFOR-it, i cili njoftonte me dëshpërim se gjatë bombardimeve NATO kishte arritur të shkatërrojë vetëm 13 tanke armiqësore (serbe). Sipas «Times» kur ushtria serbe braktisi Kosovën në qershor 1999 u numëruan së paku 250 tanke, 450 autoblinda dhe 600 predha artilerike dhe granatahedhës. Megjithatë, sulmet e NATO-s sollën çlirimin e Kosovës, sepse aleanca goditi pjesë vitale të infrastrukturës së Serbisë dhe diktatori i atëhershëm serb kapitulloi nga frika se edhe bashkëvendësit e tij do të kundërshtonin kursin e tij të ballafaqimit me mbarë botën perëndimore.

Gjatë asaj kohe krerët politikë dhe ushtarakë të Kosovës ishin pikë e pesë, të përçarë e të ndarë. Në njërën anë «krahu i luftës», i cili ishte i zënë me përgatitjen e terrenit për marrjen e pushtetit politik pas çlirimit, në anën tjetër Ibrahim Rugova i përgjumur, i izoluar, refuzues ndaj çdo këshille, një njeri pa strategji, i cili bënte grimasa absurde kur edhe në Prishtinë dëgjoheshin të shtënat e luftës, ndërsa partia e tij (LDK) ishte larg rolit të saj historik.

Tash është fushatë elektorale dhe «komandantët» po e shfrytëzojnë këtë fazë edhe për imponimin e të «vërtetave» të tyre, të cilat janë po aq të sakta sa përrallat e Kadri Veselit në një intervistë promovuese për thasët që gjoja shërbimi i tij i ka marrë nga kabineti i Boris Tadiqit dhe Vojisllav Koshtunicës.

Fushatë zgjedhore. Viti 2017. Kanë zënë trimat fushën e mejdanit dhe po flasin për të kaluarën. Kështu flasin vetëm ata që nuk besojnë në ardhmërinë e tyre politike. Ata që nga frika se do humbin zgjedhjet ia japin stafetën tjetrit, me shpresë se ai ka një grimë më shumë kredibilitet – në mënyrë që të shpëtohet çfarë mund të shpëtohet para furtunave të reja jo vetëm politike.